Rrëzimi i avionit në Kelmend, bariu tregon detajet e dyshimta, ja çfarë pa

7 Minuta Lexim

Personi i parë që pa rrëzimin e avionit në zonën e Vermoshit në Kelmend, ishte bariu Kolë Vuçaj.

Në një intervistë për Neës24, ai rrëfen se shkoi për t’i ndihmuar personat që ndodheshin në bord, por ata kanë refuzuar. Sipas 78-vjeçarit një fuoristradë është afruar në vendin e ngjarjes dhe për 45 minuta ka qëndruar aty.

Ai thotë më tej, se shikoi me dylbi që ata po transportonin nga aeroplani në drejtim të mjetit disa gjëra, të cilat ai nuk i di se çfarë ishin saktësisht. Bariu tregon se në afërsi të aeroplanit ishin tre persona, njëra prej të cilave një grua.

Frika e tij qëndronte se mos ata ishin policë, ndaj dhe u largua kur ata ia kërkuan një gjë të tillë. Pasi kryen transportimin nga aeroplani në makinë, ata janë larguar në drejtim të Vermoshit sipas bariut.

Si e ke parë avionin fillimisht?

Kolë Vuçaj: Nga ora 8:30 e mëngjesit ka ardhur dhe është futur në zonën e Vermoshit në pjesën që ne i themi asfalti i Velipojës këtu në Vermosh. Ka shkuar dhe ka qëndruar në një fushë rreth gjysëm ore pastaj është ngritur nga aty në drejtim të Vermoshit sërish, unë isha me bagëtitë në mal dhe kam dëgjuar dy krisma, një të vogël dhe një të madhe pastaj. Kur dëgjova krismën e madhe mendova se avioni është rrëzuar. Pas krismës unë shkova në vendngjarje për të dhënë ndonjë ndihmë se mendova se janë të aksidentuar. U afrova, por nuk me lanë që të shkoj deri tek avioni. Më bërtitën tre herë dhe një herë bërtita edhe unë. Më thanën largohu, po të them largohu dhe unë u largova. Pastaj nga larg kam parë me dylbi dhe ishte një fouristradë dhe aty ishte njëri që po bënte roje që të mos afrohej askush kurse dy të tjerë po transportonin diçka nga avioni në makinë. Se çfarë po transportonin unë nuk e di por di që diçka po transportonin.

Sa vetë ishin total?

Kolë Vuçaj: Në total ishin tre vetë, të gjithë në tokë. Në avion brenda se di sa kanë qenë por në tokë ishin tre persona ku dy bënin transportin dhe njëri nuk lejonte të tjerët që të afroheshin. Personi që bëntë roje ishte rreth 3 metër larg nga avioni.

Sa orë ka qëndruar fouristrada aty?

Kolë Vuçaj: Unë kam ikur por di që afërsisht 45 minuta deri në një orë kanë qëndruar aty duke bërë transportin nga avioni në fouristradë.

Arrite që ti njohësh ata persona?

Kolë Vuçaj: Jo nuk kam njohur asnjë prej tyre. Njëri ishte rreth 35 vjeç ndërsa dy të tjerët nuk i kam parë shumë mirë. Një mu duk sikur të ishte femër dhe ajo shpejtonte duke bërë transportin e gjërave nga avioni në fouristradë. Një tjetër ishte rreth 40 e ca vjeç dhe ky ishte personi që nuk më la mua të afrohem por edhe tre të tjerë që erdhën pas meje as ata nuk i la të afroheshin. Unë jam afruar deri në 50 metër nga avioni por nuk arrita të dalloj se çfarë kishte brenda avioni sepse është zonë me pyje dhe nuk dallohej nga 50 metra larg ku isha unë. Vetëm shihja avionin dhe ata njerëzit duke bërë transportin.

Menjëherë të urdhëruan që të mos afrohesh?

Kolë Vuçaj: Menjëherë sapo më panë. Ndal mos u afro më thanë. Çfarë keni i pyeta unë, largoju nga këtu po të them mu drejtuan sërish. Mos bërtit i thashë unë dhe i bëra edhe unë presion dhe ata përsëri mu drejtuan po të them largohu dhe unë mendova se janë policia dhe u largova se po ta dija që çfarë ishin nuk do largohesha gjallë por mendova se janë policia.

Ishin të armatosur?

Kolë Vuçaj: Besoj që po. Armë nuk kam parë por kam dyshime të forta që kanë qenë të armatosur. Përderisa më larguan me presion dhe duke ngritur zërin dhe më bënë tri herë thirrje që të largohesha besoj që njerëz të tillë kur reagojnë kështu mund të përdorin edhe armët nëse do afrohesha, diçka manovrojnë në atë moment.

Ishin të plagosur ndonjëri prej tyre.

Kolë Vuçaj: Jo jo. Ishin shumë mirë të tre dhe thjeshtë njëri bënte roje dhe dy tjerët me shpejtësi bënin transportin nga avioni tek foruristrada.

A mund të ketë lidhje kjo ngjarje me drogën?

Kolë Vuçaj: Unë nuk e di saktësisht por them se ka shumë vend për të dyshuar. Kur nuk ke fakte nuk kemi si të themi por dyshime kemi patjetër.

Ka parcela me drogë në këtë zonë?

Kolë Vuçaj: Para afro një muaji është arrestuar një person këtu afër nesh, jo shumë larg per një parcelë me drogë dhe e kanë lëshuar sërish pas arrestimit. Nëse ka parcela të tjera unë nuk e kam idenë. Unë jam bari që kullos bagëtitë.

Lajmërove ndokënd pas ngjarjes?

Kolë Vuçaj: Nuk kisha mundësi se unë isha me bagëti dhe nuk kisha internet por as për të folur në telefon. Tre të tjerët që erdhën pas meje mbase mund të kenë lajmëruar por unë nuk kisha mundësi, shkova thjeshtë për t’i dhënë ndihmë. As tre të tjerët nuk i kanë lënë që të afrohen. Dhe një prej tyre i ka thënë ne jemi malësorë dhe kemi ardhur t’ju ndihmojmë nëse keni diçka nevojë por i ka thënë largohu, largohu, ik, ik i kanë thënë edhe atyre. Ne shkuam vetëm për t’i ndihmuar se menduam se aksident dhe kur rtëzohet një avion dikush mund të humb jetën por ata nuk e pranuan ndihmën tonë. Për këtë ne kemi dyshime.

Fouristrada nuk dihet nga ka ikur

Kolë Vuçaj: Janë larguar në drejtim të Vermoshit por se ku fiks nuk e dimë dhe as ata personat nuk i njohim. Edhe në dialekt nuk ishin as të zonës por as nga veriu i Shqipërisë. Më të kufizuar në dialekt mu dukën, më të frenuar.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull