Një operacion i mirëorganizuar nga policia e Elbasanit, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Sipas burimeve zyrtare, operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe Seksioni i Forcës Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Në përfundim, sekuestrohet një armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë narkotike. Të paktën, vihen në pranga dy shtetas. Operacioni është kurorëzuar si rezultat i një hetimi njëvjeçar.
Burimi zyrtar i policisë konfirmon se, si rezultat i këtij operacioni, u bë ekzekutimi i masës së sigurimit personal, “Arrest me burg”, për shtetasit, Ardian Kaçaniku., 47 vjeç, dhe Edison Kaçaniku, 30 vjeç, banues në Elbasan.
Gjatë kontrollit të ushtuar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit A.K., u gjetën dhe sekuestruan në cilësin e provës materiale, një armë zjarri tip “pistoletë”, fishekë luftarakë, një shkop hekuri me hapje me mbishkrimin “Police Using” , dhe 24 tableta të dyshuar si metadon. Më parë , në kuadër të këtij procedimi penal, nga shërbimet e Policisë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një sasi lënde narkotike e llojit heroinë, e ndarë në doza dhe një një armë zjarri pistoletë, tip “TT”, me municion luftarak. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”./ B.Dybeli-ArberiaNews.net