Kongresmenët amerikan Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern dhe Mike Quigley i kanë adresuar letër presidentit Joe Biden, nëpërmjet tekstit të të ciulës i kërkojnë të vijojë vendosjen e sanksioneve ndaj liderëve që me destruktivizmin e drejtimit të tyre kërkojnë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor. Letra e kongresmenëve amerikan ka në qendë qeverisësit serbë, nominalisht presidentin në detyrë Aleksandër Vuçiç.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për gjendjen në Serbi, përfshirë impaktin serb në Ballkanin Perëndimor dhe në Europë. Ne inkurajojmë administratën tuaj të veprojë ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe ndaljen e sulmeve ndaj medias. Të dyja çështjet janë kritike për prosperitetin dhe demokracinë në Serbi, gjithashtu për aspiratën e hyrjes së Serbisë në Bashkimin Europian”.
Kongresmenët i kërkuan madje kreut të Shtëpisë së Bardhë që të konsiderojë përdorimin e Urdhrit Ekzekutiv 14033, që konsiston në “bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara”.
“Ne ju nxisim të konsideroni përdorimin e Urdhrit Ekzekutiv 14033, për të bllokuar pronat dhe për të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të njerëzve që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor”.
Në letrën e kongresmenëve evidentohen gjithashtu raporte ku tregohet se presidenti Vuçiç ka thelluar korrupsionin në Serbi, veçanërisht gjatë krizës së pandemisë, nëpërmjet prokurimeve gjysmë-legale.
Duke qenë se pranverën e ardhshme në Serbi pritet të mbahen zgjedhjet Presidenciale dhe parlamentare, Kongresmenët i kërkuan administratës Biden gjithashtu që ta bëjë përgjegjëse qeverinë e Serbisë për të realizuar një proces zgjedhor me standarde maksimale.
Vuçiç ka reaguar pas letrës duke u shprehur se vendimet për të i marrin qytetarët e Serbisë, jo Amerika. Ai tha se nuk ka frikë nga ngrirja e pronave dhe llogarive jashtë vendit “sepse nuk ka të tilla”. Vuçiç madje shton se kongresmenët janë ndikuar nga lobistët shqiptarë.
Letra e kongresmenëve ndjek letrën e derguar nga 12 organizata dhe 33 individë që i janë drejtuar Komisionit të Çështjeve me Jashtë të Kongresit amerikan dhe administratës Biden.
Organizatat janë nga komunitetet shqiptaro-amerikane, boshnjako-amerikane dhe malazezo-amerikane me thirrjen që Shtetet e Bashkuara të veprojnë tani për paqen dhe progresin duke iu kundërpërgjigjur projekteve kërcënuese të boshtit ruso-serb ndaj sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Viti i ardhshëm shënon 30 vjet nga koha kur Shtetet e Bashkuara e njohën Bosnje-Hercëgovinën si vend të pavarur e Sovran. Ndërhyrja e Amerikës qe vendimtare për sigurimin e paqes atje përmes Marrëveshjes se Dejtonit.
Të njëjtën gjë bëri dhe në Kosovë me ndërhyrjen e Nato-s në 1999 dhe negociatat e Marrëveshjes së Rambujesë që përfunduan konfliktin me serbët.
Tani, është koha që SHBA-ja të dëshmojë sërish lidershipin e saj në Ballkanin Perëndimor, – thuhet në letrën e cituar në një shkrim të Just Security, media e afërt me Kongresin Amerikan.
Ne analizën e gjatë theksohet se SHBA-ja u tërhoq në favor të lidershipit të BE-se në rajon, por tani që procesi i zgjerimit ka ngecur, forcat nacionaliste serbe po ushqejnë sërish konflikte.
Sipas tre autorëve të artikullit, mungesa e një angazhimi konkret për vendet e Ballkanit Perëndimor në raport me anëtarësimin në BE, e ka inkurajuar Serbinë të ripërtërijë agresionin e saj në rajon, të ndihmuar dhe nga ndikimi ushtarak dhe ekonomik i Rusisë.