Drejtuesi i grupit kriminal të pastrimit të parave Itali-Shqipëri, ku i përfshirë ishte edhe biznesmeni Rezart Taçi, është Francesco Zummo, një sipërmarrës 90-vjeçar nga Palermo, i cili përfundoi në arrest shtëpie me akuzat për pastrim parash, në kuadër të një hetimi të realizuar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Mediat italiane shkruajnë se në pranga ka rënë edhe Fabio Petruzzella, ekonomist dhe vëllai i një gjyqtari në Palermo, i cili dyshohet se ndihmoi në pastrimin e 19 milion eurove, duke i zhvendosur në një llogari bankare në Tiranë.
Zummo është hetuar më herët gjithashtu nga gjyqtari Giovanni Falcone. Ai njihej si një person i afërt i ish-kryebashkiakut mafioz Vito Ciancimino dhe mendohej se merrej me pastrimin e parave të tij kriminale, duke depozituar para në shumë banka botërore, si Zvicër, Shqipëri dhe Kanada.
Nga operacioni i përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve shqiptar, përfunduan në pranga edhe dy shqiptarë, “njerëz të besuar” të biznesmenit Rezart Taçi. Nga ana tjetër, ky i fundit është shpallur në kërkim.