Albin Kurti humb thellë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë/ Prishtinën e merr LDK

3 Minuta Lexim

Partia Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti ka regjistruar një humbje të thellë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, duke korrur fitore në vetëm 1 mes katër komunave më të mëdha të Kosovës, në Gjilan. Kandidati i LVV, Alban Hyseni mundi të marrë 51.03% të votave, përballë kandidatit të LDK-së, Lutfi Hazirit që mori 48.88%.

Ndërkohë LDK ka korrur fitore të madhe në Prishtinë, me kandidatin Përparim Rama që mori 51.07% të votave, përballë Arben Vitias të LVV që mori 48.93%. Ishte ky i fundit i cili i uroi i pari fitoren Ramës.

Ndërkohë në Prizren ka fituar kandidati i PDK-së, Shaqir Tozaj me 51.01% përballë kandidatit të LVV, Mytaher Hasksuka me 48.99%. Komunën e Gjakovës e ka fituar kandidati i AAK-së, Ardian Gjini me 56.06% të votave, përballë Mimoza Kusari Lila me 43.94%.

Veç Gjilanit,  Lëvizja Vetëvendosje ka fituar edhe në Kamenicë me kandidatin Kadri Rahimaj, në Podujevë me Shpejtim Bulliqin, në Shtime me Qemajl Aliun dhe në Gjilan me Alban Hysenin.

LDK ka korrur fitore në në Istog me Ilir Feratin, Fushë Kosovë me kandidat Burim Berishën, në Junik me Ruzhdi Shehun dhe në Viti me Sokol Halitin.

Veç Prizrenit, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë edhe Gllogoc me Ramiz Lladrovcin, Dragash me Shaban Shabanin, në Kaçanik me Besim Ilazin dhe Vushtrri me Ferit Idrizin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Gjakovë me Ardian Gjinin, Klinë me Zenun Elezajn dhe Rahovec me Smajl Latifin. Ndërkaq Nisma Social Demokrate ka fituar në Malishevë me Ekrem Kastratin.

Në komunën e Obiliqit ka fituar Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin.

Në komunën e Mamushës, Abdulhadi Krasniq nga KDTP, ndërsa në komunën e Kllokotit, Vladan Bogdanoviq nga Lista Serbe. Në Komunën e Obiliqit fitore ka arritur Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin.

Kujtojmë se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës fitoi në katër komuna e pasuar nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që fituan nga dy.

Lista Serbe fitoi 9 nga dhjetë komunat ku shumicë janë pjesëtarët e këtij komuniteti.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, nuk fitoi asnjë post për kryetar komune në raundin e parë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull