Prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve në Japoni kanë lënë mënjanë mëritë dhe rivalitetet për treg dhe kanë bashkuar forcat për prodhimin e makinave të së ardhmes.
Toyota njoftoi të shtunën se do të bashkëpunojë me katër prodhues të tjerë japonezë të automjeteve për të eksploruar qëndrueshmërinë e karburanteve alternative të gjelbër për makinat me motor me djegie të brendshme, duke përfshirë hidrogjenin dhe karburantet sintetike që rrjedhin nga biomasa.
Kompanitë, të cilat përveç Toyota-s përfshijnë Mazda, Subaru Corp, Yamaha Motor dhe Kaëasaki Heavy Industries, e bënë njoftimin në një pistë garash në Okayama, në Japoninë perëndimore, ku Toyota po garon me një makinë hidrogjeni.
Gara e makinave me hidrogjen po drejtohet nga shefi ekzekutiv i Toyota-s, Akio Toyoda, së bashku me drejtues të tjerë të Toyota-s.
Konvertimi i motorëve me djegie të brendshme në lëndë djegëse miqësore me mjedisin, si hidrogjeni është teknologjikisht i vështirë, por duke bërë një gjë të tillë do t’u mundësonte kompanive të mbështesin zinxhirët e furnizimit ekzistues prej dekadash duke punësuar qindra mijëra punëtorë, të cilët përndryshe mund t’u duhet t’i heqin ndërsa kalojnë në ndërtimin e automjeteve elektrike.
Ndërsa kombet shtrëngojnë rregulloret mjedisore për të ulur emetimet e karbonit, prodhuesit e automjeteve, përfshirë Toyota, po rrisin prodhimin e automjeteve elektrike. Japonia ka thënë se synon të jetë neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2050 dhe po promovon përdorimin e karburantit me hidrogjen.
Toyota planifikon ndërtimin e 15 modele elektrike deri në vitin 2025 dhe po investon 13.5 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme për të zgjeruar kapacitetin e prodhimit të baterive. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ajo po vazhdon të zhvillojë automjete të furnizuara me energji nga hidrogjeni.