Tehu i mprehtë i humorit: A ke qenë aty kur Pitagora i ka vendosur rregullat?

2 Minuta Lexim

Nga Enver ROBELLI-

Koha e koronës është tepër e përshtatshme për lulëzimin e budallallëkut dhe teorive të konspiracionit. S’ka virus, s’është i rrezikshëm, vaksinat nuk sjellin gjë, mua s’më godet virusi, virusi është shpikje e industrisë farmaceutike – lista e marrëzive të tilla është e gjatë. Kudo. Në shoqëritë e zhvilluara e të pasura po aq sa edhe në shoqëritë e varfra. Edhe në Gjermani, Zvicër e Austri, tri vende gjermanishtfolëse, numri i skeptikëve të koronës është i konsiderueshëm. Për t’iu kundërvënë teorive të tyre konspiracioniste, mjet i vetëm mbetet nganjëherë humori mendjemprehtë.

Maren Kroymann, humoriste 72-vjeçare gjermane, e ka arritur këtë përmes një spoti gjenial. Kroymann luan rolin e mohueses së fakteve matematikore. Hyn në librari, blen dy libra, të cilat kushtojnë mbi 40 euro, por shitëses ia paguan nja 15 euro. «Urdhëroni, në rregull është kështu», thotë Kroymann. Jo, nuk është në rregull, sepse librat kushtojnë mbi 40 euro, përgjigjet shitësja. Pason një dialog. Maren Kroymann thotë se matematika është «shkencë e rrejshme» dhe llogaritja pjesë e «makinerisë kapitaliste». Shitësja tund kokën dhe sërish thekson se logjika matematikore thotë se librat kushtojnë 40 euro. Mohuesja e matematikës thotë: «A ke qenë aty kur Pitagora i ka vendosur rregullat?» Absurdi në nivelin më të lartë, një mënyrë për të demaskuar adhuruesit e teorive të komplotit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull