Dosja italiane për Rezart Taçin do të hetohet dhe në Malin e Zi, për shkak se në përgjime del emri i presidentit Milo Gjukanoviç, i njohur për lidhjet e tij me biznesmenin shqiptar…
Sikurse raporton Fax News, Gjukanovic do të merret në pyetje nga prokuroria në lidhje me skandalin, dhe vetë ai i ka mohuar akuzat, por ka shprehur gadishmërinë për tiu përgjigjur ftesës së drejtësisë.
Në përgjimet e publikuara nga mediat italiane dhe shqiptare, del se Gjukanoviç ishte skenari rezervë i Taçit për të futur në sistem paratë e mafias italiane. Në rast se ai do të dështonte me bankat në Shqipëri, Taçi garantonte se do të fliste me mikun e tij president, dhe do ta zgjidhte situatën në Malin e zi, përmes transferimit të parave në Prva Bank.
Banka është në pronësi të Aco Gjukanoviç, vëllai i presidentit. Gjukanoviç i mohoi pretendimet gjatë një konference shtypi në Cetinje.
“Është një aferë tërësisht e fabrikuar. Nuk e di kush janë njerëzit, as kam pasur kontakte me ta në asnjë mënyrë… ky është një falsifikim i plotë, por këto falsifikime janë bërë një lloj praktike në jetën politike në Mal të Zi”.
Banka Prva gjithashtu mohoi pretendimet dhe tha se mediat thjesht po përpiqen të dëmtojnë bankën dhe aksionerët e saj. Shqetësimet në lidhje me bankën dhe pastrimin e parave janë ngritur që nga viti 2016 kur Parlamenti Evropian i kërkoi Malit të Zi të hetojë dhe ndjekë penalisht korrupsionin e nivelit të lartë, duke përfshirë në bankë.
Prokuroria malazeze konfirmoi se kishte hapur një hetim për rastin. Ndërkohë, Gjukanoviç, i cili është gjithashtu lider i opozitës, ka thënë se ai mbështet “çdo iniciativë” për të hequr qeverinë aktuale.
“Ju e keni të qartë se ne do të mbështesim çdo iniciativë për heqjen e saj, e keni të qartë se është dashur të bëhet dje dhe jo disa ditë më vonë”, tha ai në të njëjtën konferencë për shtyp.
Partia që drejton Gjukanoviç, DPS, ishte më e forta në zgjedhjet e vitit 2020, por nuk mundi të formonte një koalicion. Ai tha se një nismë për largimin e qeverisë do të shpallet në ditët në vijim.