SHBA vendosin sanksione të tjera kundër Nord Stream 2

3 Minuta Lexim

SHBA vazhdon të jetë kundër Nord Stream. Gazsjellësi i kontestueshëm pritet të sjellë gaz rus në Gjermani. Kërcënimet për vendosje sanksionesh, nuk do të thonë patjetër se projekti mund të dështojë.

SHBA kanë vendosur sanksione të tjera kundër gazsjellësit të kontestueshëm, Nord Stream 2. Ministria e Jashtme amerikane në Uashington, bëri të ditur se sanksionet kanë të bëjnë me ndërmarrjen Transadria dhe anijen e saj “Merlin”. Sanksionet e vendosura deri tani përfshijnë tetë persona ose objekte si dhe 17 anije.

Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken theksoi se, qeveria amerikane vazhdon të jetë kundër projektit të gazsjellësit.

Infografik - Nordstream 2 - EN

Megjithatë SHBA është duke punuar me Gjermaninë dhe aleatët e tjerë për të ulur rreziqet që projekti shkakton për Ukrainën dhe vendet e tjera, shtoi ministri Blinken. Sidoqoftë, qeveria amerikane heq dorë nga vendosje dënimesh të ashpra, që do ta çonin projektin drejt dështimit. Sanksionet e reja nuk kanë faktikisht ndonjë ndikim të madh mbi projektin. 

Pikat më të rëndësishme në kontradiktat midis Uashingtonit dhe Berlinit

SHBA kanë vendosur në të kaluarën disa sanksione kundër firmave, anijeve dhe personave të veçantë që marrin pjesë në Nord Stream 2. Sanksionet që vendosen tani kanë të bëjnë me një raport të ri që Ministria e Jashtme e SHBA-së, i dërgoi Kongresit amerikan lidhur me gazsjellësin.

Russland I Dänemark I Verlegeschiff Fortuna

Gjatë periudhës së pararendësit të Joe Bidenit, Donald Trumpit, Nord Stream 2 ka qenë një nga pikat më të rëndësishme të kontradiktave midis Uashingtonit dhe Berlinit. Qeveria e Trumpit vendosi në fund të vitit 2019 sanksione, që çuan në ndërprerjen e punimeve të gasjellësit. Aktualisht, Bideni po ashtu si Trump është i mendimit se nëpërmjet gasjellësit Gjermania dhe Europa bien në varësi të madhe ndaj Rusisë për furnizimin me energji. Korrikun e kaluar, SHBA e drejtuar nga Bideni arriti një marrëveshje me Gjermaninë për projektin. 

Ndërtimet kanë marrë fund, vënia në punë ende e pamundur

Të dy vendet publikuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën u shpreh përkrahje ndaj Ukraninës. Qeveria amerikane pranoi se nuk do të vazhdojë të pengojë gazsjellësin dhe hoqi dorë nga vendosja e sanksioneve të mëdha, si për shembull kundër ndërmarrjes që do të verë në punë gazsjellësin, e cila është regjistruar në Zvicër. Ajo është ndërmarrje satelite e koncernit rus të gazit, Gazprom.

Punimet për ndërtimin e Nord Stream 2 kanë përfunduar në muajin shtator. Ato patën filluar në maj 2018. Me anë të gazsjellësit 1200 kilometra të gjatë, i cili përbëhet tani nga dy tubacione, Gjermania pritet të marrë nga Rusia më shumë gaz se deri tani. Por, është ende e paqartë se kur do të rrjedhë vërtet gaz nëpër tubacione. Javën e kaluar Agjencia Federale e rrjetit, kërkoi paraprakisht një proces certifikimi të domosdoshëm për arsye formale./DW

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull