Zbulohet batërdia me tenderat/ 25.8 miliardë lekë nuk rezultojnë në sistemin financiar të Qeverisë

4 Minuta Lexim

Raport-Vendimi me Nr. 111, datë 14.09.2021, i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar batërdinë financiare që kanë bërë ministrat, kryebashkiakët, drejtorët të kompanive shtetërore e institucioneve publike qendrore dhe lokale, me pagesat e tenderëve gjatë periudhës 01 janar-31 dhjetor 2020.

Sikurse raporton “pamfleti”: Nuk bëhet fjalë për abuzim në procedura, por për afera korrupsioni, me rishikim vlerash financiare kontratash, pasi janë bërë tenderët, pasi janë lidhur kontratat dhe kanë nisur zbatimet e projekteve, por dhe pagesa të bëra para bërjes së tenderëve.

Po kështu, janë konstatuar tenderë jashtë planifikimit të fondeve buxhetore, ndërkohë që skandal është fakti, se ka sajim kontratash për gjoja pune publike në vlera mbi 50 milionë lekë të reja, të pa regjistruara te Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë.

Sipas raportit të KLSH, vetëm gjatë vitit 2020 janë bërë rishikime fondesh në 2327 tendera, pasi investimet e shërbimet kanë përfunduar, me vlerë abuzimi 50.7 miliardë lekë të reja, nga të cilat 632 janë në investime kapitale e 1695 shpenzime korrente.

Rekord është Bashkia e Tiranës, me 2542 fatura në vlerë totale 3.4 miliardë lekë të reja, të shlyera me dosje të falsifikuara kontratash e preventivësh, pasi janë kryer investimet e shërbimet, duke i çuar në Thesarin e Shtetit me 30 ditë vonesë nga sa e detyron ligji.

Ekzistojnë kontrata tenderësh me vlerë 25.8 miliardë lekë të reja në Agjencinë e Prokurimit Publik, por nuk ekzistojnë në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë; dhe e kundërta, ekzistojnë pagesa në Bashkitë Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan e disa ministri, por nuk ekzistojnë si tendera të kryer, në regjistrat e Agjencisë së Prokurimit Publik që i miraton tenderët.

Gjatë vitit 2020, në sistemin Informatik Financiar të Qeverisë, ka patur 743 rekorde unike të dokumentit Urdhër-Prokurim për 24 mijë tendera, të cilët janë çuar për pagesa në Degët e Thesarit, para shpalljes së tenderëve në APP.

Falsiteti i pagesave, thellohet akoma më tepër, kur mëson se 197 urdhër-prokurime me vlerë 2.3 miliardë lekë të reja të regjistruara me data të vitit 2020, kanë kontrata të viteve 2009-2011; por nuk kanë dosje shoqëruese për investimet e kryera, për të cilat ka indicie se nuk janë të prapambetura, por të sajuara për të vjedhur, ku rekord është kryebashkiaku Erion Veliaj.

Indicie për vjedhje, është dhe fakti se gjatë vitit 2020, Bashkia Tiranë, Bashkia Durrës e 30 bashki të tjera, kanë paguar 2564 kontrata në vlerë totale 52 miliardë lekë, të cilat i përkasin viteve të mëparshme, ku më e hershmja i përket vitit 2007 me vlerë 632 milionë lekë të reja, dorëzuar për likujdim nga Bashkia Tiranë.

Gjithë këtë batërdi me fondet publike, kupola e Thesarit të Shtetit, jo vetëm që nuk e ka ndaluar, por e ka lejuar dhe ia ka raportuar vetëm Kryeministrit, kur, sipas ligjit, përveç informacionit zyrtar te Kryeministri, duhej ta denonconte atë në organet e drejtësisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull