SPAK ka sekuestruar një pasuri me vlerë 1 mln euro, e krijuar nga aktiviteti i trafikut ndërkombëtar të drogës në Danimarkë.
Pasuria me vlerë 1 milion euro e Astrit Beqirit të lidhur me trafikun e kokainës në Danimarkë, i ka kaluar shtetit.
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) kanë konfiskuar 2 pulari në Shkodër me vlerë 800 mijë euro, 5 automjete të ndryshme si edhe rreth 250 mijë euro para cash. Vendimi është marrë ditën e sotme, teksa lajmi u konfirmua nga vetë SPAK.
“Pasuri dhe Cash konfiskuar nga SPAK! Pasuri e krijuar nga aktivitet kriminal – trafik ndërkombëtar droge në Danimarkë. Vlera: 1 Milion € i kalojnë shtetit shqiptar. Një aktivitet biznes pulari në Shkodër =400 mijë € / Një aktivitet biznes pulari në Shkodër =400 mijë / 5 automjete të ndryshme / 173 500 € & 8.6 Milion lek cash“, njofton SPAK.
SPAK akuzon Astrit Beiqrin për veprat penale të trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që kanë operuar jo vetëm në territorin e Danimarkës, por dhe në Gjermani, Holandë, Suedi, Belgjikë, Shqipëri, etj.
Ky grup kriminal të ardhurat “cash” i dërgonin në Shqipëri, ku më tej investoheshin në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe në aktivitete biznesi. Paratë silleshin nga Danimarka në Maqedoninë e Veriut, duke i transportuar me autobusët e kompanisë “ALBA TRANS” në Tetovë. Më pas ato merreshin nga Dhimitër Shkodrani dhe përfundonin te Astrit Beqiri në Shkodër, ku investoheshin në biznese, prona etj.