Koreja e Veriut i ndalon njerëzit të qeshin dhe të pinë për 11 ditë

2 Minuta Lexim

Koreanëve të Veriut u është ndaluar të qeshin ose të pinë për 11 ditë për të shënuar dhjetëvjetorin e vdekjes së ish-liderit Kim Jong Il.

Autoritetet qeveritare kanë urdhëruar publikun që të mos tregojë asnjë shenjë lumturie derisa Koreja e Veriut përkujton vdekjen e tij.

Kim Jong Il sundoi Korenë e Veriut nga viti 1994 deri në vdekjen e tij në 2011, dhe më pas u pasua nga djali i tij i tretë dhe më i vogël, udhëheqësi aktual Kim Jong Un.

Tani, dhjetë vjet pas vdekjes së tij, koreano-veriorët po detyrohen të respektojnë periudhën 11-ditore të zisë ku nuk u lejohet të qeshin apo të pinë alkool.

“Gjatë periudhës së zisë, ne nuk duhet të pimë alkool, të qeshim apo të përfshihemi në aktivitete të kohës së lirë”, tha një koreano-verior nga qyteti kufitar verilindor i Sinuiju për Radio Free Asia (RFA).

Burimi shtoi se koreano-veriorët nuk lejohen të bëjnë pazare për ushqime më 17 dhjetor – përvjetorin e vdekjes së Kim Jong Il.

“Në të kaluarën shumë njerëz që u kapën duke pirë ose duke u dehur gjatë periudhës së zisë u arrestuan dhe trajtoheshin si kriminelë ideologjikë. Ata u morën dhe nuk u panë më. Edhe nëse një anëtar i familjes suaj vdes gjatë periudhës së zisë, nuk ju lejohet të qani me zë të lartë dhe trupi duhet të nxirret jashtë pasi të ketë mbaruar. Njerëzit nuk mund të festojnë as ditëlindjet e tyre nëse bien brenda periudhës së zisë”, shtoi më tej burimi.

Kim Jong Il vdiq nga një atak në zemër më 17 dhjetor 2011 në moshën 69-vjeçare pasi sundoi vendin për 17 vjet në një diktaturë brutale dhe represive.

Ndërsa periudha e zisë që mbahet çdo vit për Kim Jong Il është zakonisht 10 ditë, këtë vit do të jenë 11 ditë për të shënuar dhjetëvjetorin e vdekjes së tij.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull