Festat e fundvitit nën hijen e Omicronit

2 Minuta Lexim

Derisa varianti i ri i koronavirusit, Omicron, po përhapet shpejt në të dyja anët e Atlantikut, amerikanët dhe evropianët po hyjnë në sezonin e festave të fundvitit me ankth për herë të dytë.

Shkencëtarët njëkohësisht po përpiqen të kuptojnë sa më shpejt e sa më shumë rreth variantit të ri, Omicron.

Presidenti amerikan, Joe Biden, më 16 dhjetor paralajmëroi se Omicroni paraqet rrezik në SHBA duke krijuar valën e re të sëmundjes, ndonëse varianti Delta deri tash kontribuoi shumë në rritjen e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve.

“I jemi afruar dimrit me shumë sëmundje dhe vdekje” për të pavaksinuarit, tha Biden duke bërë thirrje që të vaksinuarit ta marrin edhe dozën e tretë, ndërsa të pavaksinuarit të vaksinohen.

Ende ka shumë paqartësi lidhur me variantin e ri, por sipas zyrtarëve shëndetësorë dihet se Omicroni përhapet shumë më shpejt sesa Delta.

Ministrat e shëndetësisë të shtatë shteteve më të industrializuara në botë e vlerësuan variantin Omicron, si “kërcënimin më të madh ndaj shëndetit publik në botë”, duke shtuar se “është më e rëndësishme se kurrë më parë që shtetet të bashkëpunojnë nga afër”.

Franca redukton udhëtimet nga Britania për shkak të Omicronit

Rritja shqetësuese e numrit të të infektuarve dhe paqartësia rreth variantit të ri pason në kohën kur njerëzit planifikojnë të udhëtojnë për shkak të festave të fundvitit, duke krijuar kushte që virusi të përhapet akoma më shumë.

Njëkohësisht, shumë prej njerëzve megjithatë janë duke i anuluar udhëtimet./REL

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull