Nga Sebastian ZONJA-
Po të dilte ky skandali i rrogave në Greqi apo në Itali do të kuptonim sa të varfër jemi. Kemi dhjetra mijëra me 500 mijë lekë rrogë në muaj dhe disa mijëra me 2 mijë euro e sipër. Kjo tregon se shqiptarët mbahen me paratë e emigrantëve, me ato pak para të pisëta dhe me shumë kursime.
Drama thellohet kur mendon se një çift pleqsh me pensione nga 200 mijë secili, kursejnë në fund të vitit 1 milion lekë veç.
Jemi të varfër, jemi të rrjepur.
Kjo teza e pabarazisë, që t’ja marrim atyre që kanë e t’jua japim atyre që s’kanë, sikur nuk shkon. Nëse Shqipëria ka rritje ekonomike por kjo nuk reflektohet te xhepi i qytetarëve dhe rroga e tyre, tregon se kjo rritje, rreth 200 milion euro çdo vit, shkon vetëm në disa duar. Këtu gjykoj se duhet rishpërndarja dhe fuqizimi i iniciativës së lirë, se, përndryshe, kjo është oligarkia dhe rendi monopolistik.
Palët politike në Kuvend zihen si të ndajnë ato pak miliarda euro buxhet, kur zënka duhet të jetë si ato 5 miliard t’i bëjmë 10, pastaj 15, pastaj 20. Është njësoj si një familje që fiton gjithësej 1 milion lekë të zihet a do blejë djath apo mandarina!!! Duhet edhe djath edhe mandarina.
A kemi ne interes të bëjmë tregëti me Bosnjen? Jo, nuk kemi sepse është më e varfër se ne. Ndaj, me këtë varfëri që ka pllaksour, asnjë vend nuk ka interes të bëjë tregëti me Shqipërinë. Jemi ngjitur me një vend të G7-ës si Italia dhe bëjmë vetëm import-eksport fasonerie e call-center.
Ky sistem ekonomik që kemi krijuar nuk mban më shumë se një milion banorë brenda në Shqipëri. U shtuam si popullsi kur ishte diktatura se s’kishim ku të shkonim, por sot që janë rrugët e hapura, të shohësh se rroga që do marrësh pas 10 vjetësh punë është 1 milion lekë e s’do të të dal për të jetuar, më mirë ikën nga këtu.
Një arsimtar në Kosovën fqinje paguhet më mirë se në Shqipëri.
Një bujk në Maqedoninë fqinje paguhet më mirë se në Shqipëri.
Një professor universiteti në Beograd paguhet më mirë se në Tiranë.
Një biznesmen në Greqi fiton më shumë se ai në Shqipëri.
Një gazetar në Itali fiton shumë më shumë se ai në Tiranë.
Kaq të strapacuar jemi nga rendi ekonomik që kanë themeluar për 30 vjet pushtetarët tanë.
Janë qindra mijëra ata që jetojnë me minimumin jetik, thua se sapo kemi dal nga lufta.
Kemi mbetur komunistë në mentalitet, se të thuash në Shiqipëri dua të pasurohem është si të bësh herezi.
Shqiptarët meritojnë të pasurohen më shumë, të jetojnë me dinjitet, se jemi të varfër sa s’ka ku shkon më.