Zbulohet rasti i parë me “Flurona” në Izrael, çfarë shkakton bashkimi i COVID-it dhe gripit

3 Minuta Lexim

Rasti i parë me koronavirus dhe grip sezonal në të njëjtën kohë që është quajtur “Flurona” është identifikuar te një grua shtatzënë në Izrael. Pas identifikimit të dy viruseve, rezultoi se gruaja ishte e pavaksinuar si kundër Covid-19 ashtu dhe kundër gripit.

Spitali ku ajo po merr kurim deklaroi se gruaja po shfaq disa simptoma të lehta që “shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje” dhe pritet të dalë të enjten. Autoritetet izraelite po studiojnë gjithashtu nëse kombinimi i dy infeksioneve mund të shkaktojë një sëmundje më të rëndë. Ekspertët mjekësorë në Izrael thanë se disa pacientë të tjerë mund të jenë infektuar me dy viruset, por nuk janë diagnostikuar ende, raportoi The Mirror.

Çfarë dimë deri tani për ‘Fluronën’

Prof. Arnon Vizhnitser, një specialist i obstetrikës dhe gjinekologjisë dhe drejtori i Departamentit të Gjinekologjisë në një spital izraelit ka folur për gazetën lokale Hamodia për të diskutuar mbi infeksionin e dyfishtë që është shfaqur.

“Vitin e kaluar nuk kemi qenë dëshmitarë të rasteve të gripit në mesin e grave shtatzëna apo atyre që kishin lindur. Sot, ne po shohim raste si të koronavirusit, ashtu edhe të gripit që kanë filluar t’u ngrenë kokën”, tha Prof. Vizhnitser.

“Po shohim gjithnjë e më shumë gra shtatzëna me grip. Është padyshim një sfidë e madhe të përballesh me një grua që vjen me temperaturë gjatë lindjes. Kjo është veçanërisht kur nuk e dini nëse është koronavirus apo grip, kështu që ju u referoheni atyre njësoj. Pjesa më e madhe e sëmundjes është respiratore. Sëmundja është e njëjta; ato janë virale dhe shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje pasi që të dyja sulmojnë traktin e sipërm respirator”, shtoi ai.

Kujtojmë se Izraeli është bërë shteti i parë në botë që ofron dozën e katër të vaksinës kundër koronavirusit për personat mbi 60 vjeç dhe punëtorët shëndetësorë.

“Tani kemi një tjetër shtresë mbrojtëse”, ka thënë kryeministri izraelit, Naftali Bennet më 2 janar. Më 30 dhjetor 2021, Izraeli ka autorizuar dhënien e dozës së katërt të vaksinës për personat me sistemit të dobët imunitar. Izraeli ka qenë vendi i parë që ka ofruar edhe dozën e tretë të vaksinës për popullsinë e përgjithshme, vendim që është ndjekur nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende në Evropë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull