Ekonomia kineze në ambicien globale si “tigër ose dragua”

6 Minuta Lexim

Nga Aleksandër ÇIPA-

Ambicia e Pekinit zyrtar për rritjen dhe zhvillimin ekonomik në raport me vendet e tjera të mëdha gjen si metaforë krahasimin me zhdërvjelltësinë dhe energjinë mes tigrit dhe dragoit. Presidenti kinez Xi Jinping e riktheu këtë metaforë në fjalimin e posaçëm që pati në sesionin virtual të Forumit Ekonomik Botëror për vitin 2022. Pavarësisht se kjo është një referencë prej kulturës kineze, kumti politik dhe ekonomik i përcillet botës në kontekstin aktual të saj, në një kohë kur komuniteti global po përballet me peshën e rëndë të pandemisë dhe kontrasteve të fuqishme.

Megjithëse prodhimi i brendshëm bruto i Kinës shënjoi sërish rritje në tre muajt e fundit të vitit 2021, krahasuar me një vit më parë, dhe të dhënat i kaluan parashikimet e shumicës së ekonomistëve, prapë vihet re një ngadalësim i rritjes në krahasim me periudhat e mëparshme. Teksa ky ngadalësim është një reflektim i një situate gjithmonë të trazuar prej valëve të pandemisë, si dhe varianteve të reja të COVID-19 që mbeten destabilizuese për tregjet, presidenti kinez kërkoi rishtazi të përçojë siguri në aftësitë e vendit të tij për të përballuar këto sfida.

Për të shprehur këtë siguri në përballimin e situatës aktuale ekonomike, presidenti Xi përzgjodhi qëllimisht një referencë nga tradita kulturore kineze, duke iu referuar simbiozës mes trimërisë dhe forcës së tigrit dhe zhdërvjelltësisë së dragoit. Simboli metonimik i zgjedhur shpërndan makro-projektin kinez për një shkathtësi të shtuar në tregjet globale, në ekonomitë kombëtare dhe sidomos në interesin strategjik tregtar të cilin tashmë nuk e ndan prej kontekstit të ndryshuar gjeostrategjik, pa harruar shënjimin e përsëritur ngulshëm për mbështetje të arkitekturës multilaterale ndërkombëtare.

Në këtë qasje, autoritetet kineze mbeten besnike në të gjitha komunikimet e tyre bilaterale, si dhe partneritetin me organizatat ndërkombëtare. Mesazhet përbashkuese kundër sfidave të përbashkëta kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme pjesë e diskursit të politikës kineze, pavarësisht se aktorë të ndryshëm perëndimorë kanë shprehur skepticizëm në mjaft raste.

Interesant është fakti që presidenti Xi theksoi se globalizmi ekonomik është prirja e kohës, duke cilësuar zhvillimin paqësor dhe bashkëpunimin si një kusht për të arritur përfitime të përbashkëta. Kjo thirrje e ripërsëritur për të mbështetur multilateralizmin vjen në një kohë, ku mospërputhjet mes vendeve të mëdha janë akoma të shumta. Mbi të gjitha, ajo vjen në një moment kur në politikëbërjen aktive ka një tërheqje të dukshme nga mbështetja për globalizmin. Në harkun kohor të pesëvjeçarit të fundit janë shtuar eksponencialisht politikat ekonomike proteksioniste, duke braktisur disa nga heterodoksitë që dominuan ekonominë botërore në tre dekadat e fundit.

Nga ana e tij, presidenti Xi u përpoq ta shfrytëzonte në mënyrë pragmatiste dhe të ftohtë mesazhin e tij për të reflektuar një rol konstruktiv. Në formën më të dukshme të saj, fjala e tij vinte theksin te fakti se mospërputhjet jo domosdoshmërisht duhet të përkthehen në mundësi të humbura bashkëveprimi ekonomik.

Në telefonatën e tij të parë me kancelarin e ri gjerman Olaf Scholz, kryeministri kinez Li Keqiang i bëri vend të bollshëm mesazhit se të dy vendet duhet të shfrytëzojnë potencialin e bashkëpunimit në disa fusha të rëndësishme. Sipas perspektivës së Pekinit, pozita dhe konteksti i diplomacisë ekonomike gjen vlerë të shtuar në marrëdhënien ndërmjet Kinës dhe Europës, si dy forca të rëndësishme ndërkombëtare me një gamë të gjerë interesash të përbashkëta ekonomike.

Brenda këtij konteksti, Gjermania gëzon një vëmendje të privilegjuar nga Pekini. Prandaj në këtë bisedë të urimit protokollar, kryeministri kinez kërkoi nga kancelari gjerman që të jetë pjesë e një nxitjeje që perspektiva e marrëdhënieve dypalëshe të jetë afatgjatë, ndërsa kancelari gjerman duket sikur u dakordësua për zhvillim të shëndetshëm të marrëdhënieve Kinë-BE.

Në një mjedis ekonomik ende të paqëndrueshëm, ajo çfarë Pekini po premton, duket sikur është një element stabiliteti ekonomik dhe garanci për të mbajtur të hapur shkëmbimet tregtare. Këtë e rikonfirmoi presidenti Xi në fjalimin e mbajtur në Forumin Ekonomik Botëror, por edhe zyrtarët e tjerë në shkëmbimet e tyre me homologë dhe partnerë ndërkombëtarë. Efektiviteti dhe ardhmëria e këtyre premtimeve është një element që do të mbetet për t’u provuar.

Një rëndësi të dorës së parë do të ketë në këtë aspekt edhe klima politike që do të dominojë në marrëdhëniet ndërmjet fuqive të mëdha dhe mbartësve të peshës më të madhe në arenën ndërkombëtare. Jo më kot, presidenti kinez iu referua momentit jo të qetë që po kalon bota sot, duke vënë theksin tek nevoja për të shmangur përballjet konfliktuale.

Marrëdhëniet politike dhe diplomatike janë elementi që nuk mund të anashkalohet kurrsesi në shqyrtimin e zhvillimeve ekonomike. Do të jetë kritike dhe përcaktuese në këtë drejtim dëshmia e vullnetit të mirë dhe e krijimit të besimit të nevojshëm te vendet e tjera. Në lojën e gjatë dhe kompetitive globale, ky do jetë dhe ingredienti kryesor i suksesit. Kina zyrtare projektin e madh ekonomik të ndikimit dhe zgjerimit e koncepton dhe strukturon si aktiv dhe energjik. Jo më kot në fjalimin e presidentit metonimia mes Tigrit dhe Dragoit nuk ka lidhje me folklorin politik, por me simbolikën gjeoekonomike që mbart edhe kuptimësinë e fortë politike.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull