Atdhenëmurit e reformës tonë territoriale!

3 Minuta Lexim

Nga Albano ZHAPAJ-

Komuna e Monterones, më e vogla komunë në rajonin Lombard të Italisë, ka vetëm 29 banorë. Ajo funksionon me të gjitha atributet ligjore si çdo komunë tjetër në Itali, ashtu si edhe vetë Roma.
Në Itali janë të paktën edhe 100 komuna të tjera që kanë pak më tepër banorë se Monterone dhe askujt në parlamentin apo qeveritë italiane nuk i ka shkuar mendja ti mbyllë apo ti bashkojë me komuna më të mëdha.
Funksionimi i komunës si pushtet vendor dhe pikë referimi i një komunitetit, është e vetmja mënyrë për të ruajtur të drejtën e shenjtë të të ndërtuarit të jetës, aty ku ke lindur, dhe të drejtën e të zgjedhurit në krye të komunitetit të njeriut që jeton me zgjedhësit brenda atij territori.
Të qenit komunë e pavarur, me kryetar të zgjedhur, dhe jo njësi administrative e varur nga një tjetër, dhe jo me drejtues të emëruar, i jep identitet territorit, ruan demografinë, kulturën, traditën dhe jetën komunitare.
Në këtë mënyrë qytetari e qan hallin tek ai që ka zgjedhur vetë, tek ai që ja di hallin, tek ai që jeton bashkë me ta, me gëzimet dhe problemet e tyre, me dështimet dhe sfidat e komunitetit.
Ky model tradicional i funksionimit të pushtetit vendor, nuk e ka bërë aspak të prapambetur shoqërinë italiane, përkundrazi, e ka fuqizuar pikërisht në ruajtjen identiteteve dhe ndryshueshmërive kulturore që ka secili komunitet.
Edhe vetë Evropa fuqinë e bashkimit e ka tek cilësitë e veçanta dhe ndryshueshmëria e vendeve anëtare, aq sa edhe slogani i BE-së është: Të bashkuar në diversitet.
Kush mendoi se Shqipëria do të bëhej më efiçente dhe më moderne duke eliminuar komunat e vogla, jo vetëm që modernë sna bëri dot, por shpopulloi territorin, eliminoi pikat e referimit të komunitetit, eliminoi të drejtën për të jetuar në vendin e lindjes, të drejtën për të ruajtur traditat, kulturën, demografinë dhe identitetin.
Ja përse kam bindjen e thellë se deputetët tanë, ata që e propozuar, ata që e votuan, dhe sidomos ata që heshtën për reformën territoriale, janë disa mjeranë të paditur dhe të pa identitet. Janë njerëz që atdheu i ka nëmur.
Na paçin në qafë këta atdhenëmur, dhe paçim edhe ne veten tonë në qafë që i kemi votuar!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull