Në Qershor 2016, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u shfaq në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ku njoftoi se ishte krijuar mundësia për kryerjen e analizave të gjakut sipas teknikës NAT, nëpërmjet një sistemi të ri testimi.
Teknika NAT shërben për të identifikuar viruset në gjak, përfshirë edhe Sars Cov-2, përgjegjës për Covid-19.
Aparaturat e reja do të funksiononin nëpërmjet përdorimit të kiteve dhe reagenteve, të cilat institucioni shëndetësor do t’i blinte nëpërmjet tenderave publikë.
Prej pesë vitesh, këto tendera janë fituar në të gjithë rastet nga kompania “Pegasus” e Janis Karathanos, i cili, nëpërmjet një kompanie tjetër, ka fituar koncensionin e Laboratorëve Shëndetësorë në kohën e ministrit Ilir Beqja.
“Boldnews.al” ka konsultuar të dhënat zyrtare, në bazë të të cilave “Pegasus” ka fituar mbi 2.5 milionë euro për kite e reagente për analizat e teknikës NAT, në procedura thuajse pa garë dhe me oferta afërsisht në fondin limit.
Ndërsa në dy vitet e fundit, “Pegasus”, në bashkëpunim edhe me “Evita” shpk, një tjetër përfitues fillestar i koncensionit të Hemodializës po në kohën e Beqajt, kanë fituar tenderat për teknikën NAT pa garë dhe me 100 përqind të fondit limit.
Duket qartë se bashkimi Pegasus-Evita e kanë pasur të sigurt fitoren e tenderave të Qendrës Kombëtare të Transufizionit të Gjakut dhe nuk kanë ulur, as formalisht, ofertën e tyre.
Në Maj të vitit 2018, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, zhvillon një tender të mbyllur, me procedurën e negocimit, pa shpallje paraprake, pra pa garë, për blerje kite dhe reagente për testimin me metodën NAT.
Pak muaj më vonë, në Nëntor 2018, “Pegasus” fiton një tjetër procedurë për blerje kitesh e reagentesh për testimet me metodën NAT, për një vlerë prej 62.5 milionë lekë të reja.
Në vitin 2019, “Pegasus” e Janis Karathanos merr pjesë në tenderin e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut në bashkëpunim me “Evita” shpk, një kompani që zotërohet në shumicë nga një shoqërie e regjistruar në zonat e njohur si off-shore.
Në atë procedurë, me fond limit 68.8 milionë lekë të reja, bashkimi i operatorëve “Pegasus-Evita” paraqesin ofertën më të lartë, në rreth 99 përqind të çmimit të vendosur nga autoriteti kontraktor.
Megjithatë, konkurrenti i vetëm i tyre u eleminua nga gara dhe përfundimisht, “Pegasus-Evita” u shpallës sërish fitues.
Në dy vitet pasuese, 2020 dhe 2021, kompanitë “Pegasus” dhe “Evita” kanë fituar pa garë procedurat për blerje kitesh dhe reagentesh për testimet me metodën NAT, për një total prej më shumë se 140 milionë lekë të reja.
Në pesë vitet e fundit, “Pegasus”, si operator i vetëm apo në bashkëpunim me shoqërinë “Evita”, ka përfituar mbi 280 milionë lekë të reja ose rreth 2.5 milionë euro, pa garë reale, duke krijuar një lloj situate, të dyshuar “monopol”./ Bold News – Titulli vjen i redaktuar nga Arberia News/