Skema kombëtare 2022 për blegtorinë është e pamjaftueshme dhe nuk arrin të subvencionojë koston e lartë të prodhimit të qumështit nga fermat.
Shoqata e Industrisë të Përpunimit të Qumështit në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministres të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca dhe ministres të Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj pohon se situata e blegtorisë dhe fermerëve shqiptarë për prodhimin e qumështit, është në ditën më të vështirë të saj.
Industria e Përpunimit të Qumështit kërkon mbështetjen e qeverisë me skema subvencionuese për fermerët mbi bazën e prodhimit të qumështit , dhe jo për krerë kafshësh të limituara.
Skema kombëtare 2022 për blegtorinë parashikon subvencione për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1,200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360,000 lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 10 krerë lopë, në vlerën 10, 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt.
Shoqata e Industrisë të Përpunuesve të Qumështit thekson se kjo masë është e pamjaftueshme nisur nga kostoja e lartë e prodhimit të qumështit në të cilën gjendet fermat shqiptare. Për përpunuesit e qumështit skemat e subvencionit duhet të jenë të orientuara mbi bazë prodhimi për litër qumësht, ashtu siç po zbatohen në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Nga 1 janari 2022 hyri në zbatim ndryshimi për heqjen e 6% TVSh-je të rimbursueshme. Masa u kundërshtua nga industria, pasi heqja e skemës rrit kostot e prodhimit.
Për të përballuar rritjen e kostove të prodhimit nga rritja e çmimit të qumështit dhe lëndëve të tjera, Shoqata e Industrisë të Përpunuesve kërkon reduktimin e TVSh-në në shitje 6% ose kthimin e TVSH-së të rimbursueshme në masën 20% pasi këto ndryshime fiskale nuk do të lejonin rritjen e çmimeve për konsumatorin, si dhe produktet shqiptare do të ishin të konkurrueshme me produktet e rajonit.
Drejtuar: SH.T.Z. Edi Rama Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Znj. Frida Krifca Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Znj. Delina Ibrahimaj Ministër i Financave dhe Ekonomisë
Industria e përpunimit të qumështit në Shqipëri është një ndër degët që zë një peshë të rëndësishme në sektorin e agroindustrisë. Pavarësisht kësaj, prej vitesh ky sektor po përballet me vështirësi shumë të mëdha në treg, duke bërë që operatorët, përpunuesit e qumështit që janë pjesë e rëndësishme e kësaj hallke të zinxhirit të prodhimit, ndihen të lënë në harresë, në mungesë të mbështetjes dhe nxitjes financiare nga qeveria, duke vënë kështu në rrezik real investimet e kryera në këtë sektor.
Mbi të gjitha, situata e blegtorisë dhe fermerëve shqiptarë të prodhimit të qumështit, është në ditën më të vështirë të saj dhe ndërhyrja dhe mbështetja e Qeverisë është e domosdoshme dhe duhet te kryhet sa më parë. Fermeri shqiptar është i pambështetur dhe mbi te gjitha shumë i disfavorizuar me fermerët e rajonit, pavarësisht se tashmë jemi duke hyrë në një treg të hapur dhe të përbashkët me rajonin.
Ende nuk ka asnjë iniciativë nga Qeveria Shqiptare për të vendosur fermerin shqiptar të prodhimit të qumështit në të njëjtat pozita me fermerët e rajonit. Hyrja në tregun e përbashkët të rajonit, do të sillte falimentin e sigurt dhe zhdukjen e fermerit të prodhimit të qumështit, nëse nuk do te ndryshojnë skemat mbështetëse në bujqësisë dhe të rriten vlerat e subvencionit.
Për këtë arsye, ne kërkojmë as më pak dhe as më shumë, por të njëjtën mbështetje që rajoni jep për fermerët e vet të prodhimit të qumështit. Konkretisht kërkojmë normë të reduktuar TVSH në shitje për sektorin e përpunimit të qumështit në 6% si e ka aktualisht edhe vendet e rajonit dhe vlerësimi i efekteve afatmesme nga ulja e normës së TVSH për industrinë e qumështit dhe luftën kundër informalitetit.
Gjithashtu kërkojmë që në sektorët që do të mbështeten nga fondi i programit për bujqësinë e zhvillimin rural, për vitin 2022, të përfshihen patjetër skemat e subvencionimit si më poshtë vijon:
Mbështetje direkte 10 lekë për litër qumësht PA LIMIT të dorëzuar në pika të licencuara grumbullimi ose përpunimi.
Mbështetje direkte 10,000 lekë për çdo krerë lopë PA LIMIT të numrit të krerëve.
Mbështetje direkte 2,500 lekë për çdo krerë dele/dhi PA LIMIT të numrit të krerëve.
Mbështetje direkte 4,500 lekë për krerë lopë PA LIMIT nëse e dërgon në thertore të licencuar.
Mbështetje direkte 800 lekë për krerë dele/dhi PA LIMIT nëse e dërgon në thertore të licencuar.
Mbështetje direkte 20,000 lekë /ha PA LIMIT për tokë të mbjella me misër, grurë etj (plus 10 000 lekë nëse përdoret farë e certifikuar).
Situata është shumë e vështire dhe çdo vonesë në reagim do të sillte pasoja të pakthyeshme për fermerët dhe blegtorët shqiptar, të cilët përditë po i largohen prodhimit, duke shkuar drejt rrënimit të sigurt dhe falimentit të mëtejshëm. Mbështetja për sektorin është emergjente dhe e domosdoshme. Skemat e propozuara më sipër janë zgjidhje, pasi suksesi i rajonit është shembulli konkret. Këto skema duhet të zbatohen patjetër edhe në vendin tonë për të vendosur fermerin shqiptarë në kushte të barabarta me fermerët e rajonit në kuadër edhe të nismave për krijimin e Open Ballkan.
Bashkëngjitur do të gjeni skemat mbështetëse të rajonit, mbi të cilat është mbështetur kërkesa jonë.
Subvencionet ne Republikën e Maqedonisë së Veriut
45 Euro për çdo krerë lopë (plus 40 Euro për krerë lopë nëse e dërgon në thertore shtetërore);
19 Euro për çdo krerë dele (plus 7 Euro për krerë dele nëse e dërgon në thertore shtetërore);
19 Euro për çdo krerë dhie (plus 7 Euro për krerë dhie nëse e dërgon në thertore shtetërore);
0.06 Euro për litër qumësht; 5. 100 Euro/ha për tokë të mbjellë me misër, grurë etj (plus 100 Euro nëse përdoret farë e certifikuar); TVSH në shitje për sektorin e përpunimit të qumështit në Republikën e Maqedonisë së Veriut : 5%
Subvencionet në Republikën e Kosovës
85 Euro për çdo krerë lope dhe buallicë qumështore;
20 Euro për çdo krerë dele;
20 Euro për çdo krerë dhie;
4.150 Euro/ha për sipërfaqet e mbjella të grurit, elbit, thekrës, tërshërës etj;
250 Euro/ha për sipërfaqet e mbjella të farës së grurit;
Pagese direkte për qumështin sipas kategorive të cilësisë:
0.06 Euro/litër – klasa ekstra
0.04 Euro/litër – klasa e I
0.02 Euro/litër – klasa e II TVSH në shitje për sektorin e përpunimit të qumështit në Republikën e Kosovës : 8
Burimi: Monitor