Zbulohet plani putinian i pushtimit/ E premtja, dita më e zezë për Ukrainën

2 Minuta Lexim

Ukraina deklaron se plani i Rusisë është pushtimi i vendit, rrëzimi i qeverisë në Kiev dhe ndarja e vendit në dy pjesë, njëlloj siç u bë me Gjermaninë pas Luftës II Botërore.

Këshilltari i ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Anton Hershchenko, thotë se e premtja do të jetë dita më e vështirë për vendin, pasi ushtria ruse do të kërkojë të marrë kryeqytetin.

Duke cituar një burim nga shërbimi informativ i Ukrainës, media vendase “Ukrainska Pravda”, ka dhënë edhe me detaje planin e Rusisë për të pushtuar Kievin:

  • Marrja e aeroportit kryesor në kryeqytet dhe kontrollin e trafikut ajror, duke bërë të mundur mbërritjen e 10 mijë trupave nga ajri, ndërkohë që ushtria ukrainase mbahet e zënë me sulme në kufi.
  • Sabotimi i rrjetit elektrik në Kiev, për të shkaktuar panik te banorët.
  • Shkaktimi i një eksodi me refugjatë, për të penguar lëvizjen e lirshme të forcave të armatosura.
  • Marrja e godinave të qeverisë dhe parlamentit, si dhe kapja e udhëheqësve të lartë, për t’i detyruar që të nënshkruajnë një marrëveshje, sipas kushteve të Rusisë.
  • Ngjitja në pushtet e udhëheqësve prorusë dhe ndarja e Ukrainës në dy pjesë, njëlloj si Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore gjatë Luftës së Ftohtë.
 Pushtimi i plotë i Ukrainës është një tezë që po ngrihet gjithnjë e më shumë edhe nga shtetet perëndimore. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, tha se Vladimir Putin dëshiron “ta fshijë Ukrainën nga harta e kombeve”. Ndërsa sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se rusët kanë vendosur të vënë nën kontrollin e tyre të gjithë Ukrainën.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull