Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është i gatshëm të negociojë një status të mundshëm neutral për vendin në mënyrë që t’i japë fund krizës në vend, raporton ‘Russia Today’.
Duke folur në orët e para të mëngjesit të të premtes së zezë, Zelensky tha se kishte kontaktuar me “partnerët” perëndimorë, duke përmendur përgjigjen e NATO-s për situatën e deritanishme.
Ne jemi të vetëm. Kush është gati të shkojë në luftë për ne? Sinqerisht, nuk shoh askënd. Kush është gati t’i japë Ukrainës garanci për anëtarësimin në NATO? Sinqerisht, të gjithë kanë frikë”, tha Presidenti.
Moska i ka thënë Kievit se do të konsideronte negociatat me qeverinë Zelensky nëse ajo pranonte të diskutonte një status neutral për vendin dhe “refuzimin e strehimit të sistemeve të armëve”, ndër të tjera.
“Pyeta 27 liderë evropianë nëse Ukraina do të jetë në NATO. Të gjithë kanë frikë, askush nuk përgjigjet,” ka deklaruar sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ai ka thënë se Europa i ka lënë ta luftojnë Rusinë të vetëm dhe askush nuk gjendet aty të luftojë për ta. Presidenti ka njoftuar gjendjen neutrale të Ukrainës si një shenjë për dorëzim ndaj Rusisë.
Presidenti i Ukrainës thotë se vendi i tij u la i vetëm për të luftuar Rusinë pasi Kremlini nisi një pushtim në shkallë të gjerë që vrau mbi 130 ukrainas në ditën e parë.
“Ne kemi mbetur vetëm për të mbrojtur shtetin tonë”, thotë Volodymyr Zelensky në një fjalim me video drejtuar kombit.
Presidenti shton se ai dhe familja e tij qëndruan në Ukrainë, pavarësisht se Rusia e identifikoi atë si “objektivin numër një”.
“Ata duan të shkatërrojnë Ukrainën politikisht duke rrëzuar kreun e shtetit”, thotë Zelensky.