BE do t’u japë fund importeve ruse të energjisë

8 Minuta Lexim

BE-ja do të çlirohet prej varësisë së importeve ruse të energjisë. Komisioni po i përshpejton planet për më shumë energji të rigjenerueshme dhe vende të tjera furnizuese. Vendet anëtare paralajmërojnë nga një embargo.

Ndërsa SHBA vendos për ndalimin e importeve të naftës ruse, BE-ja bën plane afatmesme. Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen theksoi: “Ne duhet të çlirohemi nga varësia prej gazit, naftës dhe qymyrit nga Rusia”. Por është e qartë, që këto masa nuk kanë efekt të menjëhershëm dhe as nuk janë të realizueshme afatshkurtër. Një plan i ri për të ardhmen e energjisë në Europë ka qenë prej kohësh duke u përgatitur në Bruksel – tani për shkak të luftës në Ukrainë plani po përshpejtohet.

“REPower EU” (vendoja e furnizimit të Europës me energji mbi një bazë të re) është titulli i programit, lidhur me të cilin do të konsultohen në samitin në fundjavë krerët e BE-së. “Dukshëm përpara 2030-s.” BE-ja duhet të bëhet e pavarur prej lëndëve djegëse fosile nga Rusiadhe bashkarisht të zhvillojë burime energjie të sigurta, me kosto të favorshme dhe të qendrueshme, deklarohet. Njëkohësisht duhen gjetur zgjidhje për rritjen e çmimeve të energjisë për konsumatorët dhe duhen mbushur rezervat e gazit për dimrin e ardhshëm.

Të gjitha këto duhet të vihen në lëvizje për të arritur objektivin për klimën për vitin 2050. Tani duhet të veprohet shumë më shpejt – dhe ky është problemi më i madh: Sepse është e qartë, që sanksionet e menjëhershme të energjisë ndaj Rusisë, tani për tani europianët i konsiderojnë si mjeti i fundit. Kaq shumë varen ekonomitë europiane nga lëndët ruse: Kryeministri bullgar Kiril Petkov paralajmëroi, se vendi i tij të gjithë energjinë e merr nga Rusia dhe nuk mund ta përballojë ndërprerjen e furnizimeve.

Kancelari Olaf Scholz beson, se edhe vendi më i pasur i BE-së nuk ia del: Ndërkohë ne nuk mund ta sigurojmë ndryshe furnizimin, ndaj energjia „me vetëdije” është përjashtuar prej sanksioneve kundër Rusisë, tha Scholz në një video-konferencë me presidentin e SHBA-së Joe Biden. Ministri i Jashtëm Anthony Blinken deklaroi: „Eshtë e nevojshme dhe një shans që vendet europiane të çlirohen nga energjia ruse.”

Außerordentlicher EU-Gipfel zum Krieg in der UkraineSamiti i jashtëzakonshëm i BE, 24.02.

Çfarë përmban plani?

Zëvendëspresidenti i Komisionit Frans Timmermans shpreh optimizëm: Deri në fund të vitit ai do të zëvendësojë dy të tretat e importeve ruse të gazit me lloje të tjera gazi. “Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, por e bëshme”, përbetohet ai. Komisioni propozon për këtë qëllim një paketë masash.

Më shumë energji të pastër: Bujqësia duhet të prodhojë më shumë biogaz, do të rritet ndjeshëm importi i gazit të lëngshëm (LNG) dhe duhet të krijohen impiante të reja për prodhimin e hidrogjenit. Përveç kësaj BE-ja duhet „”të përshpejtojë revolucionin për energji të pastër”, thotë Timmermans. Këtu bëjnë pjesë lëshimi më shpejt i licencave për impiantet e energjisë së erës dhe panelet diellore si dhe gjeneratorëve ngrohës dhe financimi me më pak burokraci i tyre. Duhet të avancojë restaurimi i shumëpërfolur i godinave si dhe sjellja e konsumatorit që duhet të luajë një rol në këtë drejtim: Nëse qytetarët do ta përdorin më me kujdes ngrohjen mund të kursehen çdo vit dhjetë miliard metër kub gaz. „Ne duhet të çlirohemi më shpejt prej Rusisë dhe mund t’ia dalim edhe më shpejt”, thotë zëvendëspresidenti i Komisionit.

Interkonjeksioni më i mirë i rrjeteve: ndër planet bën pjesë edhe përmirësimi i lidhjes mes vendeve anëtare të BE-së dhe sinkronizimi i rrjeteve të energjisë. Deri tani planet kanë dështuar për qarkullimin e gazit mes këtyre vendeve për shkak të sistemeve të ndryshme të tubacioneve dhe problemeve komplekse teknike, sepse rrjetet nuk janë të harmonizuara mes tyre ose nuk janë të përshtatshme për lloje të caktuara gazi.

Siguria e furnizimit: Një plan emergjence i BE-së duhet të garantojë sigurinë e furnizimit. Vende, që nuk kanë depozita të vetat për gazin, duhet të furnizohen prej depozitave qendrore, në rast se krijohen mungesa ndërkombëtare furnizimi. Do të propozohen rregulla të reja të BE-së, që synojnë një kompensim të drejtë të burimeve dhe të çmimeve si dhe mundësi për blerje qendrore.

Kompensimi i luhatjeve të çmimeve: Njëkohësisht Komisioni thekson, se konsumatorët duhet të mbrohen prej luhatjeve ekstreme të çmimeve nga furnizuesit e energjisë. Kjo vlen si për qytetarët në nevojë, ashtu edhe për sipërmarrjet e vogla. Në këtë mënyrë vendeve anëtare u jepet mundësia për rregullimin e çmimeve dhe nxit që shtetet p.sh. të rrisin taksën ndaj fitimeve të treg të sipërmarrjeve të energjisë për të kompensuar konsumatorët. Në përgjithësi tani rregullat ekzistuese të tregut për furnizimin me energji në BE janë jashtë loje.

Belgien Brüssel | Frans TimmermansZëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, Frans Timmermans

Përgatitja për dimrin: Të gjithë ekspertët janë të një mendimi, se ndërkohë BE-ja me rezervat e veta mund të përballojë nevojat e energjisë deri në verë. Problemi qëndron tek përgatitjet për dimrin e ardhshëm, kur konsumi rritet sërish ndjeshëm. Komisioni propozon një rregull, që depozitat e gazit në Europë në verë të mbushen deri në 90 përqind të kapaciteteve të tyre. Impiantet e depozitimit të gazit duhet të shpallen si „infrastrukturë kritike” dhe mekanizmat e solidaritetit të ndihmojnë, derisa një paketë e re ligjore të vendosë rregullat e qarta.

Mbeten shumë probleme teknike dhe politike

Ekspertët  shohin rreziqe për situatat ekstreme në treg, kur në verë duhet të mbushen depozitat e gazit. “700 Terrawatt Gaz për BE-në do të kushtonin aktualisht 70 miliardë euro, krahasuar me 12 miliardë që kanë kushtuar një vit më parë” ka përllogaritur Instituti i Studimeve Bruegel. Dhe pa gazin rus kjo gjithësesi nuk do të jetë e mundur. Edhe në planifikimin për rritjen e importit të gazit të lëngshëm studiuesit vërejnë probleme: Spanja ka shumë terminalë që nevojiten për gazin e lëngshëm, LNG, por një tubacion i planifikuar dikur për në Francë ende nuk  është ndërtuar. Situata në vendet anëtare është jashtëzakonisht e ndryshme, sepse furnizimi me energji menaxhohet në nivel kombëtar.

Që në fillim të dimrit të kaluar planet për blerje të përbashkëta të energjisë u mbyllën sërish nëpër sirtarë, sepse vendet anëtare kanë partnerë të ndryshëm kontratueks, pjesërisht me afate të gjata furnizimi dhe deri tani tani kanë operuar individualisht në treg duke kërkuar kushte të favorshme. Vetëm një koordinim më i fortë në këtë sektor mund të jetë jashtëzakonisht i vështirë.

BE-ja merr gjithsej 60 përqind të energjisë nga Rusia dhe është e varur fort prej këtyre importeve. “Kam paralajmëruar prej shumë kohësh për këtë”, thotë zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, Frans Timmermans, por për fat të keq historia nuk mund të kthehet pas dhe tani BE-ja duhet të luajë kartat që ka në dorë. Gjermania prej vitesh ka qenë frenuese në këtë drejtim. Tani qeveria gjermane duhet të ndihmojë në kërkimin për zgjidhje të reja./DW

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull