Histori personale: – Të jetosh e rrethuar mes dashurisë së bletëve…

4 Minuta Lexim

Nga Besim Dybeli

Portret

Të jetosh e rrethuar mes dashurisë së bletëve…

 

Jo rrallë hasim bletërritës e kemi folur për suksesin e tyre në prodhimin e mjaltit. Jo rrallë kemi dëgjuar për sulmin e tyre ndaj “të zotit”, apo personave të tjerë. Histori të tilla suksesi kanë patur si personazhë bletërritës meshkuj. Historia jonë është krejt e ndryshme. Në qendër të saj qëndron një grua leskovikase. Ka mbi 2 vite, që merret me bletët. Fillimisht do të merrte një indicie nga bashkëshorti. Fitoi besueshmërinë e tij, për tu bërë “ortake” në bletarinë familjare.

 

Anila Vasili quhet. Ka dy vajza dhe me bashkëshortin kanë arritur të kenë mbi 150 koshere bletësh. Mjalti, që nxjerrin është mjaft i kërkuar në vendin tonë. Cilësia e tij dhe kualiteti “bio”, ka bërë, që të kenë kërkesa në shumë shtete të huaja. Është një fshat malor në Leskovik të Ersekës. Gjerakare quhet. Fshat piktoresk me një natyrë të mrekullueshme e shumëllojshmëri bimësh, lulesh e livadhesh. Në bisedë më të, Anila tregon:

 

– “Bashkëshorti im,  Ladi i ka pas trashëgimi me 4 – 5 breza. Pasi u fejuam, vija shpesh te fshati i bashkëshortit. Gjithmonë vija te parku dhe më shtynte më shumë kureshtja, për të mësuar për to. Pyesja bashkëshortin për cdo gjë rreth bletëve. Një ditë s’e kisha bashkëshortin në shtëpi. Kur më dolën bletët, arrita t’i fus vetë te kosherja. Aty filloi dhe dashuria për punën time me bletët dhe kujdesi për kosheret. Marr matosharrën, metrin,  cekicin dhe fillova të bëja koshere vetë . Kur Ladi e pa, u habit! S’u besonte syve,  që unë  kisha bërë kosheren dhe  kornizën vetë. Au!, – më tha. Doli më i fortë ciraku nga ustai?! Pas kësaj,  Ladi  filloi të ketë besim te puna, që unë bëja te bletët. Sot, për mua është kthyer në një profesion, që s’e shkëmbej me asgjë tjetër. Është një art më vete . Këtij pasioni dhe biznesi po i jap një prioritet të vecantë, që të shtoj rendimentin dhe të ruaj cilësinë. Kërkesat për mjalt i kam pasur shumë të mëdha. Vec tregut të vendit, kam shumë kërkesa SHBA, Kanada, Gjermani, Zvicër, Itali, Angli, Greqi etj. Analizat, që janë bërë, kanë dalë me shumëllojshmëri vitaminash dhe  shumë cilësore. Sado zonë e largët,  vijnë e ma marrin prodhimin në fshat”.

 

Ky ishte dhe tregimi i Anilës. Një histori suksesi, që nuk lë jashtë dhe dy vajzat e saj. Ato ndihmojnë dhe po marrin profesionin e prindërve. Përtej asaj, që mund të fitosh, të merresh me bletët e të nxjerrësh mjaltë prej tyre, mbetet një magji më vete…Shembulli i Anilës mbetet frymëzues për këdo…Duket sikur ajo ka sfumuar aftësinë mashkullore për përkujdesjen ndaj bletëve, rritjen e kultivimin e tyre… Anila mbetet e dashuruar me bletët, por  dhe bletët sillen shumë miqësisht me të!

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull