Kreu i shoqatës së prodhimeve të qumështit, Donald Hoxha, në një intervistë për Fax news e ka quajtur një emergjencë kombëtare, situatën në të cilën po kalon ky sektor në muajt e fundit, ku shumica e operatorëve janë në prag falimenti.
Hoxha u shpreh se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për skema rimbursimi nga ana e qeverisë, sektori i përpunimit të qumështit, ka hasur në heshtjen e institucioneve, duke rrezikuar falimentin për dhjetra kompani.
Supas kreut të shoqatës, përpunuesve të prodhimeve të qumështit, u janë rritur në mënyrë të ndjeshme kostot, duke nisur që nga çmimi që e blejnë lëndën e parë, dyfishimi apo trefishimi i energjisë elektrike si dhe rritja e çmimit të produkteve të paketimit.
“Sektori jonë ka qenë në një situatë të vështirë, kostot e konfliktit kanë dhënë një ndikim të menjëhershëm, janë shtuar kostot për të gjithë fermerët, dhe kostot vijojnë që të rriten. Do të bëjë që të kemi një kosto të lartë të produktit final.
Nëse mund të bëjmë një analizë, elementi i parë që ka sjellë rritjen e çmimeve është rritja e kostove te fermerët, çmimi i energjisë është dyfishuar, apo edhe trefishuar. Dyfishimi apo trefishimi i kostove do të sjellë rritjen e çmimit për konsumatorët final.
Janë rritur kostot edhe për letrën dhe për produktet e tjera të paketimit, qeveria ka mundësi që të ndërhyjë për ti ulur këto kosto. Skema e mbështetjes, nuk ço në mbështetje të rritjes së prodhimit, pasi matet me krerë bagëtish.
Aktualisht nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga qeveria, pritshmëritë tona janë të pakta. Duke parë situatën ku ne ndodhemi, me vendosjen e taksave të reja, do të shkonim drejt falimentit, dhe do të jemi jo në gjendje që të konkurojmë importin.
Ne prandaj kemi ngritur shqetësimin, që numri i krerëve të blegtorisë është duke rënë, ky sektor ka një problem, pasi rënia është vështirë që të kthehet pas. Pa mbështetjen e qeverisë është e pamundur për ne që tia dalim.
Nëse nuk kemi lëndë të parë vendase, do ta kemi të vështirë që të konkurojmë importin, duhet realisht që të ndërgjegjësohemi sepse kjo është një emergjencë kombëtare.
Kemi kërkuar mbështetje nga qeveria për 10 lekë për litër, dhe mbështetjen për fermat duhet të jenë pa limit, pasi kostoja e një ferme me 50 kokë, nuk është njësoj si me një fermë me 200 kokë. Nëse do të aplikohej skema e mbështetjes 10 lekë për litër, do të shmangej falimentimi, duhet të kemi parasysh se në shumë raste ky sektor në shumicën e tij operon në formë informale”, tha Hoxha./Fax