Qytetarët i kanë dhënë fund protestës para Kryeministrisë, duke i lenë katër ditë kohë kryeministrit Edi Rama për të rregulluar frymëmarrjen dhe qetësuar psikikën e acaruar tej kufirit të normales. Në mbyllje të saj ka qenë Migen Qiraxhi i cili shprehu solidarizimin e protestuesve për luftën në Ukrainë, duke theksuar se sot do të mjaftoheshin vetëm me kërkesat drejtuar qeverisë.
Në përmbledhje protestuesit i kërkuan qeverisë të krijojë një paketë të dytë që i plotëson të gjitha kërkesat, duke shtuar se do të qëndrojnë pushim deri ditën e shtunë, për t’u rimbledhur sërish më të shumtë në numër dhe pa afat kohor.
Kërkesat e parashtruara në formë ultimative prej tyre kanë qenë këto:
-Marrje e masave për uljen e barrës fiskale, për të garantuar zbutjen e pasojave të krizës.
-Pezullimi i taksës së qarkullimit dhe të karbonit.
-Zerimi i përkohëshëm i TVSH për produktet e shportës dhe ulja me 10% në vijim.
– Përcaktim i marshit të fitimit të hidrokarbureve dhe transparencë me publikun.
-Masa për mirëfunksionimin e tregut.
-Pezullim i përkohshëm i konçesionit të markimit dhe skanimit. Hetim për operatorët e importit që ndikojnë në çmimin e naftës.
-Mbikëqyrje dhe monitorim 3 mujor nga autoriteti i konkurrencës dhe transparencë për faktorët ekonomikë që kanë zotëruar dhe zotërojnë 25% të vlerës.
-Rishikim i buxhetit të shtetit për vitin 2022, për shkurtimin e harxhimeve operative dhe të luksit të pushtetarëve.
-Krijimi i një kompanie publike që të konkurrojë me hapjen e një rafinerie në Republikën e Shqipërisë.
-Miratimi i minimumit jetik.
-Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së femrerëve që duhet të jetë një nga sektorët më të financuar.