Vuçiç paralajmëron dorëheqjen: 10 vjet në krye të partisë është një periudhë e gjatë

3 Minuta Lexim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njëherësh kandidat i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet presidenciale të 3 prillit, paralajmëroi se do të japë dorëheqje nga kryesimi i SNS-së, pas zgjedhjeve.

“Unë do të jem aty gjatë zgjedhjes së Qeverisë dhe me siguri do të ndikoj, aq sa është e mundur, në dukjen e Qeverisë. Pastaj, do të largohem nga lidershipi i partisë”, tha Vuçiç për të përditshmen serbe Politika.

Dhjetë vjet në krye të partisë është një periudhë e gjatë, tha ai.

“Është një periudhë, gjatë së cilës SNS-ja nuk ka humbur askund. Është e pabesueshme dhe është koha që të tjerët t’i përkushtohen kësaj”, tha Vuçiç.

Ai i mohoi informacionet se vendi i tij do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen në Serbi, më 3 prill.

“Unë nuk ia kam thënë këtë kurrë askujt. Kam biseduar me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në prani të njëzet personave, por ajo nuk ka dëgjuar diçka të tillë nga unë. Janë njëzet dëshmitarë, dhjetë nga Gjermania dhe dhjetë nga ana jonë. Unë kam thënë saktësisht këtë: Nuk ju ofroj garanci për sanksione, pikë; ndërsa për paqen në Ballkan, sa i përket Serbisë, unë ju ofroj garanci”, tha Vuçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Serbia është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Ky pozicion nuk është në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për Rusinë.

Në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të mbajtur më 2 mars, Serbia, megjithatë, i është bashkuar dënimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Vuçiq, po ashtu, tha se paqja në Ballkanin Perëndimor nuk është e rrezikuar, por shtoi se duhet pasur kujdes për ta ruajtur atë.

“Nuk mund të them se paqja është e rrezikuar, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta ruajmë me kujdes. Ndoshta është më mirë ta përkufizoj kështu”, tha Vuçiç./REL

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull