Kriza dhe rritja e çmimeve, panik për rezervat shtetërore në Kosovë

10 Minuta Lexim

Rritja e çmimeve të karburanteve, vajit ushqimor, miellit e bukës kanë qenë së fundmi temat kryesore të ekonomisë në Kosovë. Situata ka ngjallur panik te qytetarët se sa rezerva shtetërore ka Kosova

Lufta në Ukrainë dhe pengesat në zinxhirin e furnizimit shkaktuan panik në disa prej vendeve të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, ku në javët e fundit u rrit kërkesa për blerje të miellit, vajit, karburanteve e shumë produkteve të tjera.

Situata shkaktoi panik dhe debatin se a ka Kosova rezerva të mjaftueshme.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, u bënë thirrje qytetarëve të mos krijojnë stoqe të produkteve në shtëpi.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, vitin e kaluar, por edhe këtë vit, ka thënë se shteti ka blerë naftë, miell, produkte ushqimore dhe higjienike, duke mos specifikuar ndonjë periudhë kohore, për të cilën ato do të mjaftonin.

Edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se Kosova është e furnizuar mirë dhe se ka rezerva të mjaftueshme. Për t’i shtuar rezervat, Qeveria e Kosovës ndau 10 milionë shtesë më 23 shkurt.

Që nga viti 2012, Kosova ka filluar grumbullimin e rezerva shtetërore, të cilat mund të shfrytëzohen në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore dhe krizave të tjera

Rezervat konsiderohen sekret shtetëror

Sasia e saktë, lloji i produktit dhe vendndodhja e mallrave që janë në kuadër të rezervave shtetërore nuk dihen. Qeveria i konsideron sekret dhe nuk flet për rezervat. Ato konsiderohen edhe si ‘sekret shtetëror’ sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore.

Rezervat menaxhohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Zyrtarët e kësaj ministrie nuk kanë pranuar të flasin kurrë për sasinë e as organizimin e rezervave shtetërore, me arsyetimin se ato konsiderohen sekret.

Kërkesa për grurë për frymë në Kosovë është rreth 200 kilogramë, ose në total, rreth 400 mijë tonë grurë në vit. Në Shoqatën e Mullisëve të Kosovës, thonë se sasia e grurit në dispozicion mbulon nevojat për më së shumti tre muaj.

“Në Kosovë duhet të jenë diku edhe 40 mijë deri në 50 mijë tonë grurë duke mos marrë parasysh rezervat e fermerëve që janë nëpër shtëpitë e tyre. Mendoj se ka sasi të madhe te fermerët, sepse po e shohim kohëve të fundit se është rritur kërkesa për shitje të grurit nga fermerët, sepse ka çmim të leverdishëm dhe ata janë të interesuar ta shesin”.

Shaban Halimi, një nga themeluesit e rezervave shtetërore të Kosovës, në një deklaratë për media, ka thënë se vendimi për të krijuar rezervat shtetërore të Kosovës, është marrë pas rrëshqitjes së një orteku bore në fshatin Restelicë në Komunën e Dragashit. Në këtë tragjedi humbën jetën dhjetë persona.

Ai thotë se në rast të ndonjë gjendje të jashtëzakonshme natyrore, apo agresioni ushtarak, Kosovës i mbarojnë rezervat shtetërore për një periudhë prej dhjetë ditësh.

“Qeveria duhet të reflektojë dhe të kuptojë rolin dhe rëndësinë e rezervave shtetërore që mund të kenë ato në rast të agresionit, fatkeqësive natyrore e mos dhëntë Zoti, edhe në rast të ndonjë lufte. Qeveria duhet ta rrisë sasinë e miellit si produkt kryesor.

Të ketë miell për periudhë sa më të gjatë. Pastaj naftën, sepse nafta paralizon jetën në përgjithësi, e më tej vijnë produktet e tjera ushqimore të gatshme, siç janë pastat, kripa, sheqeri, vaji e të tjera, mjetet higjienike, por assesi nuk duhet përjashtuar ujin, sepse është produkt kryesor për jetën”.

Rritja e çmimeve tronditi qytetarët

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, veç bizneseve, faj për rritjen e panikut te qytetarët, iu vë edhe krerëve institucionalë.

“Jo vetëm bizneset, por edhe krerët institucionalë e kanë rritur nivelin e panikut te qytetarët pas fillimit të luftës në Ukrainë, kinse Serbia do ta sulmojë Kosovën. Mirëpo, s’ka vend për panik dhe nëse shteti ka nxitur frikë te qytetarët duhet të reagojë, por pa i dëmtuar bizneset”.

Sipas tij, në Kosovë më shumë ka pasur “rritje spekulative”, se sa reale. Dhe kjo, thotë se është bërë në emër të tregtisë së lirë dhe ekonomisë së hapur.

“Por, besoj që është momenti kur Inspektorati i Tregut duhet të jetë më aktiv dhe mbi të gjitha, edhe bordi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës është anormale në këtë kohë krize të mos jetë i kompletuar. Institucionet duhet të veprojnë për të minimizuar pasojat e kësaj krizë”.

Selatin Kaçaniku, i cili me organizatën e tij “Konsumatori” monitoron çmimet prej 16 vitesh, thotë se një rritje e tillë e çmimeve nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

“Jo vetëm që është rritja më e madhe e çmimeve, por është edhe rritja më e shpejtë që ne e mbajmë mend. Ne kemi parasysh se rritjet e çmimeve ndikohen nga tregjet globale, por nuk mund të arsyetohet Qeveria, pasi e ka mandatin të veprojë”, deklaroi Kaçaniku.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se rritja e madhe e çmimeve është shqetësim i çdo qytetari në vend, duke theksuar se ka shtuar kontrollin dhe mbikëqyrjen për ata tregtarë që manipulojnë me çmimet ashtu sikur ditë më për parë me vajin.

Në debatin parlamentar për çmimet, Kurti paralajmërojë se do të ndëshkohen të gjithë ata tregtarë që manipulojnë me çmimet. Ndërsa për çmimin e vajit prej 3.49 euro, Kurti tha se ishte një kurdisje.

“Rritja e çmimeve është shqetësim i çdo qytetari, ne si qeveri jemi duke punuar në vazhdimësi që të mbështesim qytetarët e sidomos ata që janë më të cenueshëm. Krizat na prekin të gjithëve, ndonëse jo të gjithëve njësoj.

Ne kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manipulojnë, ashtu siç u dëshmua pak ditë më parë, ku ka të tillë që synojnë përfitim në emër të krizës.

Madje, fitimin e duan si super profit. Janë inspektuar e po vazhdojnë të inspektohen operatorë ekonomikë në tërë Kosovën[…]të gjitha ata shitës që manipuluan me çmimet në kurriz të qytetarëve duhet të ndëshkohen e do të ndëshkohen. Çmimi prej 3 euro e 49 centë për një litër vaj ishte hapur kurdisje”.

Rezervat shtetërore nuk janë në depo e as magazina në pronësi të institucioneve të Kosovës. Shteti nuk ka depo e as magazina të tilla, pasi, sipas ekspertëve, kjo do të kërkonte investime të mëdha financiare dhe burime njerëzore.

Për këtë arsye, rezervat janë tek operatorët ekonomikë privatë, të cilët kontraktohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore.

Sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore, në bazë të marrëveshjes, atyre iu përcaktohen sasitë, mënyra e ruajtjes dhe kontrollit, si dhe dalja në treg e këtyre produkteve. Si me produktet ushqimore dhe higjienike, e njëjta procedurë vlen edhe për naftën dhe produktet e saj.

Nafta, aktualisht, ruhet tek operatorët ekonomikë privatë, të cilët kanë rezervuare në dispozicion. Ata kontraktohen nga institucionet e Kosovës dhe kanë për detyrim sigurimin e cilësisë, sigurisë dhe mirëmbajtjes.

Qeveria aktualisht është duke punuar në rregullimin e rezervave të detyrueshme të naftës. Projektligji që rregullon këtë aspekt është në konsultim publik.

Sipas projektligjit, në ruajtjen e rezervave shtetërore të Kosovës i jepet përparësi ruajtjes së rezervave në territorin e Kosovës, edhe pse një sasi mund të ruhet në territorin e një shteti anëtar të BE-së ose anëtari të Traktatit të Komitetit të Energjisë me marrëveshje dypalëshe.

Projektligji ka gjetur mbështetjen e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës. “Rezervat e naftës nuk do të dërgohen vetëm te një operator ekonomik. Rezervat shtetërore do të ndahen në tërë territorin e Kosovës në mënyrë të barabartë”.

Bazuar në projektligjin e ri, rezervat e detyrueshme, do të mbahen në objekte deponuese dhe do të jenë të gatshme, ose fizikisht të qasshme gjatë gjithë kohës, në përputhje me kontratën e deponimit.

Kompania që mban rezervat e detyrueshme duhet ta bëjë këtë në përputhje me legjislacionin përkatës për cilësinë e produkteve të naftës në Kosovë dhe Departamenti i Rezervave Shtetërore do të ketë qasje të pakufizuar në verifikimin e cilësisë dhe kushteve të tjera të kontratës, thuhet ndër të tjera në projektligjin që pritet të shkojë për votim në Kuvendin e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull