Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën “arrest me burg” për Nuredin Dumanin i akuzuar për vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, në 17 shtator 2020 në një lokal në Bradashesh.
Masa i është dhënë në ambientet e spitalit të Traumës. I shumëkërkuari i Policisë, ndodhet në spital prej 30 marsit, kur u prangos në Fier, i armatosur por dhe i plagosur.
Për disa minuta, një gjyqtar i Gjykatës së Elbasanit ka qëndruar në dhomën e spitalit ku ndodhet Nuredin Dumani dhe aty i është komunikuar dhe masa e arrestit.
Kjo është masa e tretë “arrest me burg” për Dumanin pasi më herët i është komunikuar masa për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, të Dorjan Shkoza, Anxhelo Avdia si dhe për ngjarjen e Papërit më 29 mars, ku dyshohet se donte t’i bënte atentat Talo Çelës, gjithashtu i shumëkërkuar nga policia.
Kujtojmë që pasditen e 29 marsit, Nuredin Dumani kishte shkuar në Elbasan për të vrarë armikun e tij Talo Çela, por ky i fundit ishte në dijeni dhe 39-vjeçari nga Dibra ra në kurth. Makina me të cilën ai udhëtonte u sulmua me breshëri automatiku nga një makinë tjetër. Për pasojë, 39 vjeçari mbeti i plagosur. Menjëherë u nis drejt Fierit dhe aty u lokalizua në një bllok pallatesh në lagjen “Apolonia”.