Nga Anila Toto
Vlora është e bukur, por vlonjatet nuk po e shijojnë! Fëmijët po ikin jashtë për një botë më të mirë. E ç’kuptim ka një shtëpi pa fëmijët? Po atdheu?
Jo vetëm në Vlorë, por kudo, prindërit të zhgënjyer nga realiteti bëhen solidarë të një vetmie dhe pyesin veten përse jetojnë? Ç’mund të bëjnë?
Jeta u shkoi në dy epokat më të egra të transformimit të vendit. Komunizmi dhe pseudodemokracia me fazat e saj të.para më të gënjeshtërta dhe abuzive. Mungesa e diplomacisë solli dëme, vuajtje dhe çrregullime shoqërore me pasoja të anarshisë sociale dhe ekonomike.
Zhvendosja e shtresave të popullsisë duke dalë përsipër si njerëzit që pasurohen lehtë solli krijimin e elitave të reja artificiale dhe ndonjëherë edhe kriminale si produkt i mungesës së zbatimit të ligjit, kushtetutës dhe qëndrueshmërisë së qeverive përkatëse.Mirëpo ndërgjegja po rritet.Ekonomia bie, pafuqia e individit për t’ia dalë edhe pse punon shumë orë e paguhet pak, aq sa kur merr rrogën thurr ëndrra që zgjasin vetëm 3 ditë. Pasi shlyen detyrimet i duhet prapë të ëndërrojë.
Por del në rrugë dhe nuk gjen më asnjë mundësi tjetër ku të përplasë kokën përveç pak njerëzve që i japin shpresa të kota. Gërmadhë shpirti, gërmadhë Vlora! Gërmadhë jeta…
E të kujtohen vargjet Migjeniane të ngritura në kulm të varfërisë e mjerimit.
E mbi ta n’ajri si me qesëndi….
U bënë 10 vjet tashmë që qyteti ynë qepet e shqepet. Tani ose e ka fajin qyteti që nuk bën, ose rrobaqepësi nuk di të qepë. Po griset qyteti.
Po shqyhet, po dhunohet…. Asnjë zë…
Disa zëra intelektualelësh që qeveria i injoron sikur të mos ekzistojnë. Disa zëra që vijnë nga familje patriote e që edhe fëmijët ditën ta mbajnë Vlorën në shpirt. Zëra që dhembin, zëra që mbyten. Pa zë!
Duket sikur kuçedra ka rënë në qytet e s’po e lëshon. Sheshi I Flamurit kishte 4 topat, simbol i 4 vilajeteve. Një qeveri tjetër e mbushi me topa të tjerë. Po ç’bëhet kçshtu? Pas tyre dëshmorët, anash 2 muzeume, para Monumenti i Pavarësisë dhe vendi me zbulime arkeologjike, majtas shtëpia e Beut. Ç’punë u prishi Sheshi I Flamurit?
Kur kalon aty duket sikur ka rënë bomba.Një gërmadhë tronditëse prej shumë kohësh.
Ç’është ky projekt që nuk mbaron? Si do të ndihemi pas kësaj? A do të jetë më kjo Vlora jonë?
Apo e biznesmenëve që morën bizneset nga deti, nga qendra, tani fshijnë edhe historinë?
O burra, ta shesim historinë! Po ç’na mbeti?
Unë e dua Vlorën, Shqipërinë! Çfarë të bëj?
Të gjithë më thonë hesht, por më kujtohet im atë.
Ai më thoshte se po nuk deshe shtëpinë tënde, tokën tënde, njerëzit e tu s’je askush. Sepse të gjithë vijmë nga diku. E unë vija nga fëmijëria që luante tek katër topat përballë monumentit. Kur unë rreshqisja shikoja ata burrat e ngrihesha me vrap. Se isha fëmijë i brishtë, ndërsa ata trima…
Për askënd nuk do të ishte e mirë që midis të tjerave kjo qeveri e ky shtet të mbahej mënd si shkatërrimtar i historisë së qeverisë së parë dhe i legjendës dhe dinjitetit kombëtar!
Unë nuk njoh ndonjë ngjarje më të madhe dhe më të ndershme historike se ajo e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit! Vlora është kthyer në sytë tanë një gërmadhë e madhe prej disa vitesh. Çdo bukuri apo sharm qe të marrë pas kësaj do të jetë e mbushur me këtë imazh dhe me zhgënjimin e qytetarëve nëpër kohë.
Sigurisht mund të vijë një ditë ku një vlonjat a Kryetar Bashkie të rikthejë historinë e dinjitetin e qytetit tonë, por për këtë do të duhen projekte,investime dhe shkatërrime të tjera.
Nëse KM del edhe thotë në tv se kjo qeveri lufton për qytetarët dhe vendin, atëherë le të na i tregojë se asnjë projekt nuk vlen mbi popullin dhe historinë e tij! Asnjë investim nuk është më I madh se kultura dhe prejardhja që shpresoj mos të jetë e qëllimshme, pasi jemi atdhetarë, jo vetëm ëndërrimtarë!