Legalizimi i kanabisit, Dom Gjergj Meta kundër: Si ‘Kalë Troje’ për të rinjtë

2 Minuta Lexim

Kleriku katolik Dom Gjergj Meta ka kundërshtuar nismën e legalizimit të kanabisit mjekësor në Shqipëri, i njoftuar sot nga kryeministri Edi Rama.

Sipas tij në një postim në Facebook, nisma është si një ‘kalë Troje’ për të rinjtë, sidomos në një vend ku ka papunësi dhe varfëri midis tyre.

Postimi i plotë:

LEGALIZIMI I KANABISIT SI KALË TROJE …

Për momentin po kufizohem të them se legalizimi i kanabisit (qoftë edhe për qëllime kinse mjekësore) është Kali i Trojës i drogave më të rënda në jetën e shumë të rinjve, sidomos në një vend ku ka papunësi dhe varfëri midis tyre. Ky legalizim mund të jetë gjithashtu paradhoma e shumë fenomeneve të tjera të dëmshme për shoqërinë, sikurse monopolet apo logjikat mafioze.

Personalisht më çudit fakti që një popullsi aq “konservatore” si kjo e jona qenka aq pro legalizimit të kanabisit, nëse është e vërtetë që procesi i konsultimit nga ana e qeverisë ka sjellë në këto rezultate.

Nuk do të doja të besoja se disa nga këto ide të jenë si dikur “…me propozim nga poshtë e vendim nga lart” (për kujtesë më 9 maj 2020 kryeministri ka thënë se ka një vit që qeveria po punon me draftin e ligjit për legalizimin e kanabisit dmth qysh më 2019).

Më keq akoma nuk dua të besoj se një nismë e tillë është dorëzim i shtetit përballë mafies së kultivimit të lëndëve narkotike.

Kaq për momentin për lajmin e mundësisë së legalizimit të kanabisit që u artikulua këto dy ditë!

D. Gjergji

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull