Çmimi letrar “Vexhi Buharaja”, ja kur do të shpallen fituesit

2 Minuta Lexim

Çmimi letrar “Vexhi Buharaja” në letërsi u shpall me rastin e 102-vjetorit të lindjes së dijetarit, përkthyesit, studiuesit dhe poetit. Ky çmim u shpall më parë nga Bashkia Berat dhe në materialin e publikuar nga Qendra Kombëtare e Leximit dhe Librit (QKLL) thuhet se çmimet janë të ndara sipas kategorive të përcaktuara në thirrjen e shpallur dhe do të jepet nga një çmim për secilën prej kategorive. Anëtarë të Jurisë janë Ymer Çiraku, Alda Bardhyli, Ndue Ukaj, Aleksandër Cipa dhe Yzedin Hima. Gjinitë letrare të cilat do të zhvillohet ky çmim:1- Cikël poetik me 7 poezi; 2-Ese letrare me titull: “Poezia e ndritshme e Vexhi Buharasë”; 2.1-Ese letrare me titull :“Mrekullitë poetike të Firdeusiut e Sadiut dhe përkthyesi Vexhi Buharaja”; Cikël me 9 poezi të përkthyera. QKLL shprehet se afati i dorëzimit të krijimeve për konkurrim është data 30 prill 2022. “Fituesit e konkursit do të shpallen më 12 maj 2022 në 102-vjetorin e lindjes së Vexhi Buharasë. Të gjithë tekstet mund të nisen në [email protected]”, thuhet në publikimin e QKLL.

Në faqen e bashkisë ndër të tjera thuhet se veprat studimore, që kanë në fokus qytetin e Beratit, dukuri e figura të kulturës, artit, letërsisë, historinë e qytetit, monografi që pasqyrojnë jetën shpirtërore, ekonomike, kulturore ndër shekuj të qytetit dhe që konsiderohen si kontribute me vlera, do të bëhen pjesë e fondit të bibliotekës së qytetit. Vexhi Buharaja (Berat, 12 maj 1920 – 5 korrik 1987) ka qenë letrar, orientalist, epigrafist dhe përkthyes shqiptar nga osmanishtja e persishtja, i persekutuar gjatë regjimit komunist. Falë tij mund të lexohen në gjuhën shqipe materiale si të Rilindjes Kombëtare e Lidhjes së Prizrenit, ashtu edhe veprat klasike të letërsisë perse. Në konkursin letrar që u shpall më 1 janar 1942, kur ishte 22 vjeçar, ai fitoi çmimin e parë me poezinë “Përpara Tomorit”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull