Këta “pellazgët”, që hyjnizojnë gegët për gjuhë e nacionalizëm, kur do ti japin një dorë nacionalizmit tosk? Se ka një shekull kasaphanë këtej nga krahu tjetër dhe nuk bzajnë. Apo s’u ka ardhur akoma qarkorja nga Selaniku?
Nga Sebastian ZONJA –
Nën pretekstin se janë margjinalizuar vetëm gegët, po na ndahet atdheu. Është e qartë se gegët janë më të shumtë në numër sot që kemi një marrëdhënie më të shpejtë e të shpeshtë me Kosovën, por kjo s’do të thotë të kthehemi në “gegocentrikë”. Sepse i sheh sot që mburren pse janë gegë, thua se është turp me qenë durrsak, korçar, pejan a strugan.
Sot është në dorë të Kosovës se si do ta forcojë elementin gegë, që faktikisht ka qenë i margjinalizuar për disa dekada. Dhe Kosova duket se s’ka ndonjë plan veç retorikës antisllave.
Margjinalizimi i veriut nuk ka ndodhur thjesht për antikomunizmin e veriut, ndonjëherë i veshur me mite të kota, por nisi që me italianët në fillimshekull, sepse rrugët e para tregëtare u ndërtuan për naftën në Ballsh e Kuçovë. Më herët, vlen të theksojmë, se dy qendra të mëdha që ka pasur Toskëria kanë qenë Janina dhe Selaniku.
Për të mos e zgjatur, sot, ka një shekull, në jug të vendit goditen si me plan të mirëpërgatitur të gjitha familjet patriotike. Enverizmi nuk bëri gjë tjetër veçse e mori këtë plan dhe e zbatoi pikë për pikë. Pasenveristët, bijtë më të mirë të tij, vijuan me të njëjtën mendësi.
Merrini rast pas rasti e do të shihni se si ata që mbajtën peshën e kombtarizmit në Korçë, Përmet, Skrapar, Vlorë, Sarandë, Çamëri, Berat, Gjirokastër, Devoll.., sot janë lënë në heshtje, familjet e tyre në harresë, vepra e tyre e groposur.
Tash i sheh se janë krenarë si “gegocentrist”, “kosovarocentrist”, “pellazgocentrist”, “toskocentrist…”, secili me axhendë e me grup daullexhinjsh me vete… Veçse “shqiptarocentrist” s’po shohim kund.