Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shprehu sot besimin se ky sezon turistik që nis së shpejti do të jetë më i miri në të gjitha aspektet, pasi është punuar intensivisht prej afro një viti për pastërtinë.
Gjatë konferencës për mediat lidhur me ciklin e Javës Kulturore Ndërkombëtare, Rama foli edhe për rolin e pushtetit vendor për zhvillimin e turizmit kulturor, që të mos jetë kalimtar për turistët.
“Sezonet turistike kanë ndryshuar ndjeshëm edhe pse ndryshimi duhet të jetë shumë më i thellë dhe shumë më sistematik, por ka ndryshuar ndjeshëm qysh se kemi filluar të punojmë. Tani janë tërë disa vite që gjatë periudhës së sezonit kemi kalendarë specifikë aktivitetesh dhe të kemi harta specifike për turistët. Edhe bashkëpunimi me bashkitë është strukturuar, dhe patjetër që ka shumë për të bërë akoma, por të jemi realistë, në këtë proces duhet edhe kohë për të ndërtuar ashtu siç duhet tradita të caktuara. Jam besimplotë që ky sezon që nis së shpejti do të jetë më i miri në të gjitha aspektet, sepse kemi punuar intensivisht prej afro një viti për pastërtinë. Kemi një skemë të re për pastrimin e territorit në të gjithë zonën bregdetare dhe të jeni të bindur që ndryshim do të jetë shumë dukshëm. Por nuk mjafton vetëm angazhimi maksimal i qeverisë, por duhet edhe shqiptari të jetë në lartësinë e kësaj nevoje të madhe që ka vendi për të mos u turpëruar në sytë e botës, por edhe për të mos u bërë pasqyra deformuese e edukimit të fëmijëve tanë”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se sezoni do të ketë edhe kalendarin e vet kulturor dhe do të ketë edhe disa risi të tjera që do të lidhen me mundësi që ofron digjitalizimin.
Gjithashtu, Rama tha se edhe sistemi i ndihmës së parë dhe kujdesit shëndetësor në të gjithë vijën bregdetare është ngritur, është solid dhe do të vazhdojë të jetë aty në mbështetje të të gjithë turistëve, pushuesve dhe qytetarëve që shkojnë në vijën bregdetare.
Paralelisht, vijoi kryeministri, ka vazhduar puna për të lehtësuar akseset në sitet arkeologjike.
“Ky do të jetë i pari sezoni ku Apolonia do të jetë e aksesueshme me një rrugë me të gjitha standardet dhe në të gjitha drejtimet, deri dhe në investimet e reja që po bëhen”, theksoi Rama.
Rama përmendi edhe shifrat nga bashkia e Durrësit, ku gjysma e lejeve të ndërtimit janë për hotele.
Sa i përket fluksit të fluturimeve drejt aeroportit “Nënë Tereza”, Kryeministri nënvizoi se “është aeroporti me rritjen më të lartë në Europë të fluturimeve, kjo si pasojë e uljes drastike të çmimeve. Dhe sot që flasim jemi në 3-mujorin e parë 23% plus”.
Sipas tij, edhe prenotimet për sezonin janë shumë domethënëse.
“Kemi të gjitha arsyet të besojmë që Ministria e Turizmit do të njohë rritje të madhe dhe brenda dekadës, Shqipëria do të jetë siç e kemi edhe ne ambicien e shpallur, kampione në rajon për turizmin”, deklaroi Rama.