Vlera e Bitcoin-it ka vazhduar të bjerë gjatë fundjavës, duke arritur nën 34,000 dollarë në shkëmbimoren e kriptovalutave, Coinbase.
Kriptovaluta më e madhe në botë për nga vlera e tregut ka rënë tani për 50%, krahasuar me kulmin e saj në nëntor të vitit të kaluar.
Rënia e vlerës së aseteve digjitale vjen në kohën kur edhe tregjet e aksioneve në botë janë në rënie.
Bitcoin përbën rreth një të tretën e tregut të kriptovalutave, me një vlerë totale prej 636 miliardë dollarësh.
Ethereum, kriptovaluta e dytë më e madhe në botë, gjithashtu ka rënë në vlerë, për më shumë se 10% në javën e fundit.
Në botë ekzistojnë mbi 5,000 kriptovaluta të ndryshme, por më të popullarizuarat mbeten Bitcoin dhe Ethereum.
Personit i duhet një “portofol”, apo një aplikacion online, përmes të cilit transferon para reale për blerjen e kriptovalutave.
Tregtia me kriptovaluta është dominuar me vite nga investitorët individualë, por, kohëve të fundit, tregu ka parë edhe një fluks investitorësh profesionistë, të tillë si menaxherë parash dhe fonde mbrojtëse./R.E.L