Ballkani Perëndimor dhe BE/ Ja çfarë synojnë Macron dhe Scholz

3 Minuta Lexim

Macron hedh idenë e një organizate politikë përtej BE-së, ku mund të anëtarësohen edhe vende të Ballkanit Perëndimor dhe Ukraina. Scholz e quan propozimin interesant

Gjermania dhe Franca duan të forcojnë më tej aftësinë e Evropës për të vepruar, sidomos në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Këtë e theksuan kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i rizgjedhur francez Emmanuel Macron, i cili bëri të hënën në Berlin vizitën e tij të parë jashtë vendit në mandatin e dytë. Të dy politikanët siguruan se i duhet dërguar një sinjal vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i lidhur ato më ngushtë me Bashkimin Evropian. “Ne u qëndrojmë premtimeve tona për anëtarësim,” theksoi Scholz.

Macron doli me një propozim të ri, të cilin e prezantoi edhe gjatë një fjalimi në Strasburg, disa orë para takimit të tij me kancelarin gjerman Scholz: Krijimin e një organizmi evropian, anëtarë të së cilës mund të jenë edhe vende jo anëtare të BE-së, si vende të Ballkanit Perëndimor, Ukraina ose Britania e Madhe.

Deutschland Frankreichs Präsident Macron trifft Bundeskanzler Scholz in Berlin

Bashkim politik

Macron argumentoi: Bashkimit Evropian i duheshin procedura të përshpejtuara për t’u dhënë këtyre vendeve statusin kandidat, duke përmendur Ukrainën si shembull, por edhe vende në Ballkanin Perëndimor që nuk i përmbushin ende standardet ekonomike apo kushtetuese të BE-së, “por janë gati të bashkohen me ne”. Për këtë do të duheshin formate politike. Por ai shtoi se ka edhe vende si Britania e Madhe, të cilët thjesht nuk duan të jenë anëtarë të BE-së.

Kancelari gjerman Olaf Scholz e quajti propozimin interesant. Por theksoi se nuk duhet hequr dorë nga procesi i zgjerimit. Qysh në fjalën e tij hyrëse ai përsëriti sërish kërkesën e tij për heqjen e bllokadave, qartazi në adresë të Bullgarisë, por pa e përmendur këtë të fundit: “Bllokadat aktuale duhet të kapërcehen për hir të përgjegjësisë ndaj Evropës dhe arsyes gjeostrategjike”, duke pasur parasysh bllokadën aktuale që po i bën Bullgaria Maqedonisë së Veriut në procesin e çeljes së negociatave, Scholz gjithashtu nënvizoi edhe perspektivën evropiane të Ukrainës.

Maqedonia e Veriut nuk duhet zhgënjyer

Duke dhënë si shembull Maqedoninë e Veriut, Scholz argumentoi se ka vende që kanë marrë vendime shumë kurajoze, dhe që duhen shpërblyer,  Kjo kurajë nuk duhet të zhgënjehet, tha ai. Scholz dhe Macron paralajmëruan se do të bëjnë një samit të përbashkët franko-gjerman me vendet e Ballkanit Perëndimor në qershor.

Të dy politikanët thanë se në të ardhmen do të koordinohen ngushtë për mbështetjen e Ukrainës, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe për mundësinë embargos. Varësia e Evropës nga karburantet fosile nga Rusia gjithashtu duhet të jetë e kufizuar. “Ne po përjetojmë një kthesë epokale”. Miqësia franko-gjermane është më e rëndësishme se kurrë. “Evropa mund të ketë sukses vetëm e bashkuar”, tha kancelari. /DW

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull