Servilët janë lënda e parë e së keqes, njohin vetëm një pushtet, atë që është më i forti dhe qëndrojnë gjithmonë pas shpinës së shefit kryesor. I afrohen me shumë ëmbëlsi atij. Për ata ka rëndësi të jenë në anën e fitimtarit dhe afrohen kur afrohet fitorja Nuk ndjekin idenë, por kohën duke rendur me shkathtësi pas saj. Janë servile modern me eprorët dhe tepër mizor me vartësit, të “urtë” sa e pinë të gjithë kopenë.
Servilët nuk parapëlqejnë t’ja shohin sytë dhe letrat. Pothuajse gjithmonë janë në qëndër të ngjarjeve, në qëndër të Partive, të Pushtetit, veprojnë pa rënë në sy, të fshehur nën anonimin e detyrës që kryejnë, vetëm rrallëherë në vorbullën e ngjarjeve. Dhe, ç’është më e habitshme, në vështrim ta parë kanë pamje fisnike, por zemrën e kanë më të zi se korbi.
Ata i përmbahen parimit: Kurrë të mos marrësh vendim përfundimtar, përpara se të përcaktohet se në anën e kujt është fitorja. Përdorin me mjeshtëri heshtjen dhe pritjen.Intriga dhe shkathtësia e tyre shpesh herë fiton mbi mençurinë. Janë mjeshtër të ndrimit të ngjyrave. Kameleon.
Servilët janë miq me të gjithë, por vetëm për t’ua hedhur të gjithëve dhe për të bërë atë që u levërdisë. Ndryshojnë karakter sipas kohës dhe rrethanave, shprehen me kujdes dhe nuk thonë atë që mendojnë, u përshtaten natyrës përsonale shefave. Në prezencë të shumë njerëzve heshtin për të blerë, preferojnë bisedat dyshe ku marrin informacion dhe shfaqin ide të vjedhura, përhapin opinione të rreme duke shfrytëzuar njerëz të dobët, naiv dhe llafazan.
Ata e dinë mirë se fitorja në çdo lëvizje i buzëqesh gjithmonë të fundit, atij që e përfundon atë dhe , fiton suksesin kush njeh artin e mashtrimit. Janë si molusku që i ngjitet vaporit për të lundruar larg. Nuk mbajnë asnjëherë prentimin, instikti dhe ligësia i bëjnë që të jenë në çdo rrethanë dinak dhe veprojnë si skile.
Servilët modern depërtojnë gjithmonë në lartësitë e pushtetit kur nuk zotëron zgjedhje të sakt. Retorika e tyre tipike është : Siç tha Kryeministri, mbështes pa rezerva shefin. Janë të pozicionuar me njëshin e pushtetit. Përhapin , në opinion , lidhjet e tyre me të fuqishmit për të ushtruar trysni dhe krijuar avantazhe.
Të gjithë ata këshilltar , që udhëhiqen me qëllime ambicioze, nuk duhen besuar kurrë mbasi kontribojnë vetëm në rrënimin tuaj. Ata flasin me zë të hollë e serioz duke mbajtur sytë përtok, lajkatohen dhe lëpihen. Ruhuni nga burrat me zë të hollë dhe nga grate që rruhen.
Servil-zvarranikët e dinë mirë se kush ka informacion ka pushtet. Për këtë përdorin skema stereotipe hipokrite , “më kanë folur mirë për ty”, “shefi të vlerësonte shumë”. Ata dërgojnë, me mjeshtëri mesazhe lajkatare shefave që mund t’u sigurojnë ngjitjen në shkallët e pushtetit. Këta kameleonë ngjiten lartë, edhe në përmbysjet e mëdha shoqërore, ashtu siç ngrihet llumi nga gota kur tundet fort.
Karakteri njerzor dhe poshtërsitë e tyre të panumërta kurrsesi nuk mund të lejojnë që ata të radhiten midis njerëzve të mirë e të besuar. Prandaj le të kufizohemi me thënien: Se ngritja e tyre në shkallët e pushtetit nuk i detyrohet as virtytit as fatit. Janë shtrati i nxehtë i klaneve regresive dhe mina me sahat.
Në jetën reale, në fushën e veprimit rëndësi vendimtare , kanë (dhe kjo duhet nënvizuar për të parandaluar rrezikun nga çdo lloj mirbesimi), jo mendjet e ndritura, jo bartësit e ideve të dlirta progresive, por një soj njerëzish sojsëz aq shumë të poshtër, sa edhe të shkathët, përsonalitete të prapaskenës.
Për këtë, ju kujtoj thënjen e Stefan Cvajg. “Ai që sheh botën vetëm nga lartë nga froni, nga lartësitë e Kullës së Fildishtë, apo nga lartësia e pushtetit, ai njeh vetëm buzqeshjen e servilëve dhe bindjet e tyre të rrezikshme.
Sjell në vëmendje se : në vitin 2000 kam dashur këtë shkrim më të zgjeruar, të botohej tek Gazeta “Rilindia Demokratike” e PD. Kryeredaktori Astrit Patozi më thot: ”Nuk ka PD nga këta që tratoni në shkrim”, prandaj nuk botohet!? Faleminderit./ Andrea Çupa, Maj 2022, Tiranë , Albania