Teksa vendi është në pritje të zhvillimit të raundit të katërt për të mësuar se kush do të jetë Presidenti i ri i vendit, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka zbuluar disa nga emrat që kanë qarkulluar brenda të majtëve.
Balla shprehu keqardhje që opozita nuk propozoi emrin e Majlinda Bregut për Presidente, ndërsa nuk e mohoi nëse emri i Bregut është përmendur brenda selisë rozë.
“Kam vlerësim tejet pozitiv me znj. Bregu. Më vjen shumë keq që opozita nuk e propozoi znj. Bregu”, deklaroi Balla.
Ndër të tjera Balla zbuloi dhe emrin që ai vetë do ta votonte për pozitën e kreut të shtetit, ndërsa tha se Ardian Dvorani do kishte mbështetjen e tij nëse do ta miratonte kryesia e PS.
Ai tha se shpreson që kandidatin e socialistëve për President ta mbështesin më shumë se sa 74 deputetë.
“Shqipëria duhet të ketë një president sa më të pranuar nga të gjitha shqiptarët. Prandaj kemi thënë që nuk duam një president të PS, por të të gjithë shqiptarëve”, – tha Balla.