Rikthehet vala e re e pandemisë në vjeshtë?/ Ja tre skenarët e mundshëm

4 Minuta Lexim

Këshilli i ekspertëve për Coronën në Gjermani: Federata dhe landet të përgatiten në kohë dhe si duhet për luftimin e një vale të mundshme të re infeksionesh, ndonëse zhvillimet e virusit nuk mund të parashikohen saktë.

Ndaj është e domosdoshme një “përgatitje largpamëse me mundësinë e reagimit sa më shpejt” për rritjen e pritshme të rasteve dhe ndryshimin e gjendjes së infeksionit në vjeshtë dhe në dimër”, thuhet në një prononcim të këtij forumi. Raporti “Përgatitjet për pandeminë në vjeshtë/dimër 2022/23” u paraqit në Berlin (08.06). Sidoqë të zhvillohet situata kërkohet që përgatitjet ndër të tjera të kenë një bazë solide ligjore për masat mbrojtëse ndaj infeksionit.

Këshilli i ekspertëve të qeverisë për Coronën nisi punën në mes të dhjetorit 2021. Në këtë forum bëjnë pjesë studiues nga disiplina të ndryshme.

Tre skenarë të mundshëm

Ekspertët përpilojnë skenarët të mundshëm të zhvillimit të gjendjes. Këshilli i ekspertëve përmend tre skenarë të mundshëm për vjeshtën dhe dimrin e ardhshëm. Në një “model bazë” supozohet rritja e numrit të të sëmurëve nga infeksioni.  “Pavarësisht ngarkesës së moderuar prej COVID-19 në sektorin e mjekësisë intensive, mungesat në punë sërish mund të bëjnë të nevojshme masa gjithëpërfshirëse (mbajtje maske dhe ruajtje distance në mjediset e mbyllura), por edhe masa për pakësimin e kontakteve sipas direktivave rajonale”, bëhet e ditur në këtë dokument.

Në rast të një skenari negativ boshllëqet me vaksinimin në popullsi dhe rënia e imunitetit me kalimin e kohës mund të përkojnë me variante më të rrezikshme të Coronës, e kësisoj edhe të vaksinuarit plotësisht mund të përballen me rrjedhë të rëndë të sëmundjes. Një zhvillim i tillë mund ta mbingarkonte sërish sistemin e shëndetësisë me rastë COVID-19 si në sektorin e shërbimit intensiv edhe në pavionet normale. Në një rast të tillë masat e nevojshme mbrojtëse si mbajtja e maskës dhe ruajtja e distancës mund të zbuten vetëm në pranverën e vitit 2023.

Në skenarin më të favorshëm një variant i ri i virusit mund të jetë më pak i rrezikshëm, si rrjedhojë masat e mbrojtjes ndaj infeksionit “nuk do të ishin më të domosdoshme për të gjithë, por ndoshta vetëm për personat e rrezikuar”. Këshilli i ekspertëve thekson shprehimisht, se “zhvillimi i mëtejshëm i virusit SARS-CoV-2-Virus ndërkohë nuk mund të parashikohet bindshëm”. Eshtë i mundur një dobësim i tipareve që shkaktojnë sëmundjen, por nuk mund të nisesh nga një premisë e tillë.

Ekspertët: Popullsia pret planifikim efikas

Qëllimi i politikës ndaj Coronës duhet të jetë “mbrojtja e sistemit të shëndetësisë, e infrastrukturës kritike si dhe e grupeve më vulnerabël të popullsisë, duke minimizuar ngarkesën kolaterale dhe shëndetësore të shoqërisë” thuhet më tej.  Për këtë arsye duhet që të gjitha masat profilaktike, terapeutike dhe të tjera të orientohen në kufizimin mundësisht sa më parë të një vale të re. Prioritet të lartë ka gjithashtu që të mundësohet për fëmijët dhe të rinjtë që të ndjekin pandërprerje shkollën, të shkojnë në kopshte e në aktivitete sportive.

“Pandemia definitivisht nuk ka kaluar”

Profesor Heyo Kroemer, kryetar i kryesisë së Berliner Charité dhe anëtar i këshillit të ekspertëve tha, se forumi nuk do të krijojë imazhe dhe shqetësime dramatike. Ky prononcim është një “përpjekje profesionale” për të zbardhur zhvillimin e mundshëm të pandemisë dhe për të dhënë në kohën e duhur këshillat e duhura.

“Pandemia definitivisht nuk ka kaluar”, tha Kroemer.

Në radhët e koalicionit qeverisës ndërkohë ka nisur debati për një rikonceptim të ligjit të mbrojtjes ndaj infeksioneve, rregullorja e të cilit lidhur me Coronën ka afat deri në shtator./ DW

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull