Italia “në këmbë” prej 24 orësh! Policia në kërkim të Edison Pulës, u arratis nga burgu pasi sharroi hekurat

3 Minuta Lexim

Policia italiane është angazhuar maksimalisht për të ndaluar të arratisurin nga Burgu i Trevisos, Edison Pula.

Anëtari i “Bandës së Niklës”, i njohur edhe për grabitjet e vilave luksoze në zonën e Selias ia doli që të arratisej duke prerë me sharrë hekuri, hekurat e dritares së qelisë së tij të burgut, por do e ketë shumë të vështirë të dalë nga Italia.

Kjo pasi një skuadër nga ajri është angazhuar për të gjurmuar lëvizjet e tij, por edhe me postblloqe në kufi.

“Në të gjithë vendin ka alarm maksimal, veçanërisht në kufi. Kërkohet Edison Pula i cili është arratisur nga burgu i Trevisos. 27-vjeçari shqiptar pasi ka sharruar me dy tehe hekurat e qelisë së tij në burgun Treviso, ka zbritur me çarçafët e lidhur si litarë dhe kapërceu një mur 5 metra të lartë para se të humbiste gjurmët”, shkruajnë mediat italiane.

Komisari Vito Montaruli, ka deklaruar: “Ka bashkëpunim maksimal për kërkimin e të arratisurit. Që në mëngjes ka nisur një koordinim mes Skuadrës Ajrore dhe zyrës së hetimit të Policisë, policisë së Burgjeve dhe asaj Kufitare. Dyshimi është se po tenton të largohet nga vendi dhe kontrollet e mëdha janë përqendruar në atë anë të kufirit. Megjithatë, supozojmë se është ende në territorin kombëtar”.

27 vjeçari është shqiptari i arratisur nga burgu italian ditën e djeshme. Autoritetet italiane e përshkruajnë si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ai është parë teksa merrte një makinë që po e priste në rrugë, ndërsa dy shokët e tij nuk ia arritën t’u shpëtonin prangave.

Pas arratisjes së bujshme, Sindikata e Policisë së Burgjeve në Itali, reagoi duke theksuar se “ajo që ka ndodhur është pasojë e thyerjes së politikave të sigurisë së burgjeve. Sistemi penitenciar, për të rritur dhe të mitur, po shembet çdo ditë e më shumë. SAPPE ka denoncuar prej kohësh se siguria e brendshme e burgjeve është asgjësuar nga masat e këqija si mbikëqyrja dinamike dhe regjimi i hapur, duke hequr rojet e IEVP-së, gardianëve për survejimin nga muret e burgut, mungesën e policëve të burgjeve, mungesën e fondeve për shërbimet kundër ndërhyrjes dhe kundër ngjitjes ”

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull