Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar për herë të parë për arrestimin e ish-kryebashkiakut, Agim Kajmakut me 20 kg kokainë në Itali.
Në një deklaratë për mediat, Balla deklaroi se PS përshëndet vendimet e organeve të drejtësisë çdo herë që ligji funksionon, ndërsa shtoi se Kajmaku prej vitesh nuk kishte asnjë funksion në Partinë socialiste.
‘Sa herë që ligji funksionon mbi këdo PS përshëndet vendimet e organeve të policisë dhe të drejtësisë. Ky është një qëndrim i qartë ynë dhe mbi këdo. Nuk është më prej vitesh në asnjë lloj funksioni në PS.’- tha Balla.
Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku u arrestua nga policia italiane më 27 maj, pasi u kap me me 20 kg kokainë.
Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.