Sali Berisha paralajmëroi të gjitha policitë që të mos bëjnë presion, të mos dhunojnë dhe të mos provokojnë protestuesit nesër.
“Një thirrje për cdo shqiptar të bashkohet nesër në protestën e 7 korrikut, për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin e Edi Ramës dhe qeveritarëve të qeverisë së tij nga pushteti. Situata është jashtëzakonisht e ndezur. Pakënaqësi dhe urrejtja për këtë qeveri ka rrokur qiellin.
Pandjeshmëria e saj është gjithashtu po kaq e madhe. Mos të harrojmë se një kauzë të drejtë asgjë nuk mund ta mposhtë. Ndaj dhe shfrytëzoj këtë rast për të ftuar cdo qytetar dhe qytetare të këtij vendi të kontribuojë me praninë e tij në suksesin e protestës. Paralajmëroj të gjithë llojet e policive, se cdo presion, cdo qëndrim, cdo përpjekje për të intimiduar, për të dhunuar, për të penguar, popullin opozitar, do të regjistrohet dhe do të marrë ndëshkim personal të merituar ligjor. Paralajmëroj të mos provokojnë protestuesit.
Është e vërtetë që vapa dhe temperaturat janë të larta, por më të larta janë temperaturat e brendshme të njerëzve, që vijnë të protestojnë ndaj këtij regjimi. Nesër pra është një ditë e madhe. Nesër është një ditë frymëzimi, një ditë beteje të vërtetë. Opozita zbret në shesh. Edi Rama është i ftuar të mendojë dorëheqjen e tij sa më parë”, tha Berisha.