Veterani amerikan James Vasquez mori vendimin për të shkuar për të luftuar në Ukrainë që në ditën e parë të luftës. Pasi paketoi pajisjet ai u nis drejt vendit të sulmuar nga Rusia. Ai gjithashtu hapi një llogari në rrjetin Twitter ku ndan me ndjekësit përvojën e tij.
I veshur me kostum, veterani amerikan James Vasquez, po merr pjesë në një takim për të grumbulluar fonde për Ukrainën. Ai thotë për Zërin e Amerikës se do të ndihet më rehat në uniformë, kur të kthehet në Ukrainë muajin që vjen.
“Jam mësuar atje të dëgjoj sirenat e sulmeve ajrore, ku çdo ditë je objektiv zjarri dhe bombardimesh. Prania këtu më duket disi e çuditshme”.
Qysh ditën e parë të luftës James-i vendosi të shkonte në Ukrainë.
“Arsyeja e vetme pse nuk isha atje në datën 25 (shkurt) është sepse më kishte skaduar pasaporta dhe duhet ta rinovoja. Arrita atje më 14 mars”.
Zoti Vasquez thotë se vendimi për të shkuar në Ukrainë ishte i lehtë. Gjyshja e tij, e lindur në Letoni, i kishte treguar shumë histori për ushtarët rusë.
“Të gjithë pjesëtarët e familjes së gjyshes time u masakruan nga rusët. Gjyshen time e çuan në një kamp pune, ku qepte uniformat ruse”.
Menjëherë pas mbërritjes në Ukrainë ai u vendos në frontin e betejës në rajonin e Kievit. Njësia e tij çliroi fshatrat ku ushtria ruse kishte vendosur mina-kurth për popullsinë civile.
“Objektivi i tyre ishte popullsia civile dhe jo ne luftëtarët. Një fije teli e lidhur mes bombës së futur në një gotë qelqi dhe derës së një rafti në kuzhinë, që kur ta hapësh të shpërthejë bomba”.
Ai shërben përkrah me ukrainasit, të cilët i quan vëllezër dhe thotë se nuk ka pengesa gjuhësore.
“Shumë prej tyre flasin pak anglisht. Pra mund të komunikojmë disi me njëri-tjetrin”.
Njësia e tij u zhvendos nga Kievi në Donbas. Ndërsa ishte në Ukrainë, ai filloi të grumbullonte fonde për luftëtarët. Tani ai po punon me fondacionin amerikan të bamirësisë “Ripley’s Heroes”.
“Nuk po blejmë armë dhe municione, por pajisje mbrojtjeje si jelekë anti-plumb. Po blejmë dronë pasi mjetet janë shumë të rëndësishme”.
James Vasquez është kthyer në Shtetet e Bashkuara për të shitur gjithçka që zotëron dhe më pas do të kthehet në Ukrainë. Ai thotë se Ukraina është bërë shtëpia e tij e dytë dhe dëshiron të qëndrojë atje për rindërtimin e vendit pas fitores.