Deputetja demokrate, Flutura Açka shkruan se ka marrë shumë mesazhe ku e pyesni se përse mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri, Bajram Begaj.
Açka me një postim në rrjetet sociale shkruan se asyeja se përse ka marrë pjesë është “që presidenti im të jetë i yni”.
“Që Presidenti IM të jetë YNI
Disa kolegë e miq më telefonuan të dinin arsyen e pjesëmarrjes sime në Inaugurimet e Presidentit të ri të Republikës, z. Bajram Begaj. Ngaqë i kam bërë publike prapësitë e pushtetit dhe pafuqinë e opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Edhe ngaqë PD (!) – lexo Foltorja – pakësh vendosur ta bojkotojë.
Edhe pse Presidenti Bajram Begaj u zgjodh si presidenti IM, ai është presidenti YNË.
Dhe është rasti që t’i uroj mbarësi dhe t’i shpreh besimin se personaliteti i tij do ta ndihmojë të jetë president i të gjithë shqiptarëve.
Presidenti Begaj nuk është konsensual, por legjitim.
Si dikush që njeh dhe respekton institucionet, është në nderin tim ta duartrokas inaugurimin e tij.
Do të kisha dashur që ai ta kishte edhe votën time, por çorba politike shqiptare, tash për tash, gatuhet në kazanin e ndotur të Edi Ramës.
Dhe që të mos jetë vetëm i Edi Ramës, ndjej nevojë t’i bëj dy vërejtje, që Predidenti YNË të mbetet i tillë deri në fund të detyrës së tij:
Në fjalën e tij të parë në Parlamenti, zoti Begaj iu drejtua mē parë ministrave e më pas deputetëve. Shqipëria është republikë parlamentare dhe ministrat japin llogari në Parlament.
Në fjalën e tij të parë si president në godinën e Presidencës, zoti Begaj iu drejtua Vjosa Osmanit, si zonja Osmani. Do të duhej të thuhej e me gojën plot: E nderuara, zonja Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës.
Unë mendoj se këto janë shkujdesje të patëkeq dhe mund t’i ndodhin kujtdo nën shtypjen emocionale që një ditë si kjo ka, dhe nuk dua ta besoj – siç disa mëtojnë të më bindin – se janë fjalime të prodhuara nga Agjencia e Medias dhe Informimit (qeveritar).
Nga sot, Presidenti YNË duhet të këshillohet për fjalët e tij publike me njerëz që e duan Shqipërinë më shumë se partinë.
Urime të sinqerta, z. Begaj!”, shkruan Açka.