Zbardhet ekzekutimi i Saimir Jakut në 2016, në pranga 40-vjeçari. Policia: Ishte atentat me pagesë i porositur nga një grup kriminal në Lezhë

2 Minuta Lexim

Policia e Lezhës ka njoftuar se ka arrestuar një 40-vjeçar me iniciale D.K si autor për vrasjen e Saimir Jakut, ngjarje e ndodhur më 9 Shtator të vitit 2016. Policia thotë se i arrestuari, në bashkëpunim me persona të tjerë, e ka kryer vrasjen kundrejt pagesës. Porositësit janë identifikuar nga policia, por uniformat blu nuk japin detaje të tjera si pasojë e hetimeve që janë në vijim.

“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së shtetasit Saimir Jaku, kundrejt pagesës. Porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë. Për shkak të cilësisë së hetimit dhe të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjmë publike të dhëna të tjera për këtë çështje”, njoftoi policia.

Në kontrollin e banesës ndaj 40-vjeçarit janë gjetur 21 aparate celularë.

Saimir Jaku, 33 – vjeç, ish –Drejtor i Tensionit të Lartë për zonën e veriut u vra me armë zjarri më 9 Shtator 2016. Kanë qenë dy persona të maskuar, të cilët kanë qëlluar me breshëri automatiku ndaj 33 – vjeçarit Saimir Jaku, i cili qëndronte në ambientin e jashtëm të një lokali në qytetin e Rrëshenit, vetëm 20 metra larg komisariatit të policisë.

Menjëherë pas krimit, autorët janë larguar nga vendngjarja me një mjet që ishte parkuar jo larg lokalit ku u krye edhe ekzekutimi. Mësohet se Jaku ishte shkarkuar vetëm një javë më parë nga ekzekutimi nga detyra.

Vite më parë, ai ka qenë emigrant në disa shtete të ndryshme të Europës. Si pasojë e asaj ngjarje mbeti i plagosur edhe Gjergj Prenga, 50 – vjeç, i cili ndodhej në tavolinë me viktimën në momentin kur ndodhi vrasja.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull