Nga Brixhilda Xhuraj
Rënia e popullsisë në të gjitha vendet e cilësuara në zhvillim në Evropë do të arrijë në nivelet e fillim shekullit XX.
Ka qenë ky përfundimi i raportit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi popullsinë.
Të dhënat e OKB-së tregojnë se popullsia totale e vendeve post-socialiste në Evropën Qendrore, Juglindore dhe Lindore, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore do të bjerë nga 418 milionë që ishte në vitin 2021 në 362 milionë deri në fund të shekullit.
Tre vende të Evropës Juglindore do të kenë rënien më të madhe të popullsisë.
Popullsia e Shqipërisë do të bjerë me pothuajse dy të tretat (61%), ndërsa popullsia e Bullgarisë do të bjerë me 57% dhe ajo e Serbisë me 55%.
Kështu, popullsia e Bullgarisë parashikohet të bjerë në nivelin që ishte rreth vitit 1880, pas ringritjes së shtetit bullgar pas Luftës Ruso-Turke të 1877-1878.
Për Shqipërinë niveli ishte i ngjashëm me atë të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kur mbreti i fundit i Shqipërisë, Zogu I, iku në mërgim pas pushtimit të Italisë në 1939.
Popullsia e Serbisë gjithashtu pritet të bjerë në nivelet e parë të fundit në fillim të shekullit të XX-të.
Ukraina është vendi i katërt që pritet të humbasë më shumë se gjysmën e popullsisë së saj me një rënie të parashikuar prej 53%.
Letonia, Kroacia, Bosnja, Lituania, Kosova, Armenia, Maqedonia e Veriut dhe Polonia pritet të humbasin nga 40 % deri në 50 % të popullsisë së tyre deri në fund të shekullit.
Evropa në zhvillim po përjeton rënien më të madhe të popullsisë në nivel global.
Kjo është për shkak të një kombinimi të rënies së mprehtë të jetëgjatësisë dhe nivelit të lindjeve pas rënies së komunizmit plus emigracionin masiv.
Mbetet e paqartë se deri në çfarë mase emigracioni mund ta kompensojë këtë.
Nga ana tjetër, ka rritje të shpejtë të popullsisë në Azinë Qendrore, ku nivelet e lindjeve janë dukshëm më të larta se në pjesën tjetër të Evropës në zhvillim.
Nga të dhënat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), popullsia e Shqipërisë rezulton të jetë 2 milionë e 793 mijë e 592 banorë.
Shifra pasqyron një rënie me 1,3 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Përgjatë atij viti, shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) ishte -3.296 banorë, duke shënuar për herë të parë shtesë natyrore negative.
Në atë vit, 2021, numri i imigrantëve ishte 9 mijë e 195 persona dhe numri i emigrantëve ishte 42 mijë e 48 persona.
Kurse diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve, ndryshe i quajtur migracioni neto, pësoi një rritje në vlerë absolute, krahasuar me një vit më parë.