Kryeministër për 115 ditë, flet Abazoviç pas rrëzimit të qeverisë: Krimi i organizuar vazhdon të përdorë tentakulat e tij

3 Minuta Lexim

Kuvendi i Malit të Zi votoi mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviqit, një orë pas mesnatës së 20 gushtit. Qeveria e tij u rrëzua me 50 vota pro dhe një kundër.

Abazoviç tha se e pranonte humbjen po menjëherë fajësoi lidhjet me krimin e organizuar për rënien e qeverisë së tij.

“Përgëzoj koalicionin e ri të (Alekse) Beçiqit dhe Gjukanoviqit, jemi gati të pranojmë humbjen. Më vjen keq që krimi i organizuar në Mal të Zi vazhdon të përdorë tentakulat e tij për të rregulluar marrëdhëniet politike”, tha zoti Abazoviç.

Ai shtoi se nëse formohet qeveria e re para zgjedhjeve, ai nuk do të marrë pjesë në to.

Abazoviç kryeministër për 115 ditë

Qeveria e Dritan Abazoviqit është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë.

Dritan Abazoviq ishte kryeministri i parë i Malit të Zi, i cili i përket një komuniteti kombëtar pakicë. Ai e gjeti veten në krye të shtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur përfundoi qeverisja tridhjetëvjeçare e Partisë Demokratike të Socialistëve Milo Gjukanoviq. Në atë kohë, Lëvizja Civile URA e Abazoviqit ishte “pika e kthesës” për formimin e një qeverie të re në Mal të Zi.

Në qeverinë e mëparshme të Zdravko Krivokapiqit, ai ishte nënkryetar. Pas inicimit të rrëzimit të Qeverisë së Krivokapiqit në shkurt të këtij viti, Abazoviq u bë kryeministër i ri me ndihmën e Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit në fund të prillit.

Çfarë ndodh tani?

Rënia e Qeverisë hap mundësinë e formimit të një Qeverie të re, të tretë, bazuar në rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të gushtit 2020.

Në periudhën në vijim partitë politike do të fillojnë negociatat për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi.

Nëse një grup i caktuar politik mbledh 41 nënshkrimet e deputetëve, ata do të mund t’i paraqesin kërkesë presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për t’i dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së tretë./REL/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull