PALERMO – PASHA LIMAN DHE NE NENUJESAT E ASAJ KOHE

18 Minuta Lexim
Nga Avis Gjyshja
………………………..
“E dielë drekë, Hoteli i Beqarëve të Nëndetëseve, Pasha Liman. Ora diku aty mes dymbëdhjetë e gjysëm – një!
Jashtë vapë, ndërsa unë, Kristaq G. dhe Shefik Sh. të shtrirë mbi krevatet tona dëgjonim emisionin e përjavëshëm radiofonik “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”.
– E di çfarë po mendoj? -thotë Shefiku. – Sikur të plaste një luftë tjetër….
Ne përtojmë të flasim…
-Do kishim të paktën ca heroizma të reja – e mbyll Shefiku pa pritur përgjigjen tonë”
(Marrë nga ditarët e mij të pjesës së parë të viteve ’80)
…………………………………………………………………………………………………………………………
Nga kurioziteti, por dhe nga lidhjet personale me botën e nëndetëseve, kam kërkuar e kam lexuar gjithçka kam gjetur, rreth Bazave Nëntokësore të Marinës nëpër botë. Ka shumë pak material të publikuar për këtë temë por një shumë e nohur dhe shumë e ngjajshme me Bazën e Palermos në Shqipëri është ish Baza e Balaklavasë, në Krime të Detit të Zi.
Në kujtimet e mija të herëshme, Krimeja vinte e ngrohtë dhe ekzotike, si vëndi ku gjëndej Jalta me Daçën e Bardhë të Çehovit gjë që më kujtonte “Kopështin e Qershive”, “Pulëbardhat” e të tjera tregime të shkruara në atë vend nga shkrimtari i madh..
Por duket se për ca arësye shumë më të komplikuara se sa kujtimet e mija për Krimenë, dhe pavarësisht kostos së jashtëzakonëshme, sovjetikët e asaj kohe, vendosën, që në Balaklava të Krimesë, midis Jaltës dhe Sevastopolit, të ndërtonin një Bazë të Nëndheshme Nëndetësesh.
Balaklavaja ishte një qytezë e mbyllur në fundin e një gjiu të ngushtë, natyralisht shumë të mbrojtur nga stuhitë e natyrës dhe sytë e kurreshtarëve dhe që duket se plotësonte edhe kushtet e mbrojtjes nga sulmet bërthamore, aq afër të mundëshme, gjatë Luftës së Ftohtë.
Kjo zgjedhje për Flotën Sovjetike të Detit të Zi, ishte gati njëlloj sikur të qe në Detin Mesdhe, i cili duhet thënë se me të drejtë, shihej si një teatër shumë strategjik i Luftës së Ftohtë. Dhe pa e zgjatur, në vitin 1953, Instituti i Projektimeve të Leningradit çoi para qeverisë projektin e kësaj Baze Nëntokësore për të cilën edhe vetë Stalini do të përkujdesej deri në detaje.
Realizimi i këtij projekti i mori Bashkimit Sovjetik të asaj kohe plot 8 vjet punë e miliarda rubla. Dhe më 1961 Baza Nëntokësore e Nëndetëseve në Balaklava u quajt e përfunduar. Emri i koduar i saj ishte “825 GTC”. Tani Stalini nuk ishte më dhe baza u inagurua nga udhëheqësi sovjetik i asaj kohe, Nikolay Khruschev, i cili në mbarim të vizitës, duke tundur duart, siç ishte në tipin e tij, tha diçka që nuk u harrua kurrë. – Ai tha, se e gjitha kjo duhet t’ju jepej prodhuesëve të verës për ta përdorur si qilar!
….Dhe në fakt koha tregoi që rusët do ta përdornin bazën e Balaklavasë si një bazë ushtarake në paqe por kurrë për luftë…. Sot kjo Bazë është transformuar në muze dhe njihet si Muzeu Naval i Luftës së Ftohtë!
…Shumë larg nga Balaklava dhe nga Deti i Zi, në një tjetër vënd mesëdhetar, të tjerë diktatorë, në një lidhje të re “dashurie” me një vënd tjetër të madh e përsëri aziatik, menduan e filluan të ndërtonin një tjetër Bazë Ushtarako Detare Nëntokësore. Kjo e kësaj radhe, ndryshe nga ajo e Balaklavasë nuk ishte menduar për nëndetëse, por për Katera me Raketa. Dhe për këtë punë qe zgjedhur Gjiu i Palermos në jug të Shqipërisë. Projekti i kësaj baze ishte një bashkëpunim kinezo-shqiptar, i paparë e i padëgjuar për vëndet e Detit Mesdhe, si për nga kostua, volumi i punës që do të kryhej dhe sigurisht edhe për nga fuqia ushtarake që do të instalohej në të.
……………
Do kalonin kohë dhe unë do të shpenzoja disa vite si nënujës në Bazën Nëntokësore të Palermos.
– Po çfarë ishte në të vërtetë Baza e Palermos?
Në fakt asnjëherë unë nuk kam parë asnjëherë dokumenta zyrtare ose teknike rreth megaprojektit të Palermos dhe megjithëse kam ndenjur disa vjet atje, mund të them se edhe më mungoi dëshira e eksplorimit të labirinteve të tij. As foto nuk ka shumë,(këto që unë kam vënë më poshtë më të shumtën e tyre janë marrë nga eksplorues të huaj) ndërsa ish nënujsit duket sikur nuk kanë edhe aq kujtime të mira atje gjë që duket dhe nga fakti që ata, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të kujtojnë Pasha Limanin si shtëpi të parë e jo Palermon.
Ka shumë shifra por ato vetëm se do ta bëjnë edhe më të trishtuar tregimin tim. Dija që kishte shumë ambjente të brëndëshme si depo silurash, karburantesh, ofiçina riparimesh, salla dizel – gjeneratorësh, sisteme ajrimi, sisteme alarmi, sisteme zjarrëfikëse, sisteme komunikimi, zyra, vinça urë për të ngritur nga uji katerat që nuk erdhën kurrë e plot ambiente të tjera e pajisje teknike. Kishte dhe një dalje të dytë nga veriu, porta e të cilit ishte bllokuar nga prurjet e rënda shkëmbore të rrymave detare që para se atje të transferoheshin nëndetëset. Në më të shumtën e ambjenteve të brëndëshme unë nuk shkela kurrë, tek ca se nuk më lejohej hyrja e tek ca të tjera se nuk kisha deshirë. Shumë herë e kishja përshkuar tunelin kryesor vajtje ardhje në gjithë gjatësinë e tij pork jo nuk kish ndodhur aspak për qëllime ushtarake apo eksploruese. Qe thjesht se e përdorja si rrugën më të shkurtër për të shkuar e për të peshkuar në ujrat e krahut tjetër pas malit.
Mbas prishjes me kinezët, projekti i Katerave me Raketa u bë i pamundur duke provuar kështu dhe njëherë më shumë, në një shkallë miliona herë më të madhe, vërtetësinë e proverbit popullor se “Kali i huaj të lë në rrugë”. Menjëherë pas prishjes me kinezët, Mehmet Shehu, dyshi i diktaturës, gjatë një vizite të posaçme në këtë objekt tha se “partia po mendonte që ta përdorte objektin për nëndetëset”.
Dhe thane e bënë! U hodhën përsëri shuma të mëdha fondesh, ndërsa mijra ushtarë xhenierë, shumica bij të shtresave të persekutuara politikisht, rifilluan të gërmonin si skllevër, nën ujë e nën gurë për të thelluar, zgjeruar e modifikuar tunelin e Palermos. Por në mëndjen time, përveç panevojshmërisë që në momentin e idesë, devijimeve të mëvonëshme të projektit, e plot bëmave të tjera teknikisht e ushtarakisht idiote, aty nga fundi i viteve ‘80, shpella e gjeti vehten përfundimisht të papërdorëshme.
………….
Vajtja ime e parë atje, ndodhi në një ditë dimri të vitit 86, kur bashkë me një tjetër inxhinier nënujës, ishim urdhëruar që duke përdorur një nga gjuajtësit detarë të FLD, të bënim disa matje të cilësive hidroakustike të gjiut të Palermos. Ishte një ditë vërtet e keqe për të qenë në det- një ditë gri, e ftohtë dhe me erë e lagështi të madhe, një ditë kur mua dhe shumicën e marinarëve na kish zënë deti e era e të vjellave të thartuara dukej sikur mbushte gjithë gjirin aspak mikpritës të asaj dite të parë timen në atë vënd. Grija e kaftë dhe e shpëlarë e brigjeve të lagura e të gurta të Palermos, në atë ditë të largët e të ftohtë dimri, më la një ndjenjë të thellë vetmie e trishtimi. Objektet tokësore të Bazës të futura nëpër gryka e rrëkera plot ferra e gjëmba, të gjitha të suvatuara keq me llaçin rërë trashë të atyre anëve, ushtarët-skllevër rrobashqyer e të pluhurosur të xhenjos që lëviznin si të burgosurit në xhirot e ajrimit e pak më poshtë hyrja e betontë e bazës… Kishte vetëm pak vënde të gjelbra buzë detit, kryesisht nga Baza e deri tek kalaja e Ali Pashës e po ashtu dhe ca kaktuse gjëmbashumë shkretëtirash në faqet lindore të gjiut, për ti lënë vëndin më në lartësi, ca drurëve të rrallë të valanidhit.
Si për ta bërë edhe më të zymtë këtë situate, po ato ditë, më kishin treguar dhe për një vrasës serial të kapur dhe të dënuar me vdekje për një seri vrasjesh horror midis ushtarëve të xhenjos.
E vetmja gjë, çuditërisht ndryshe, që pashë në atë ditë të parë, por dhe në ca vizita të mëpastajme, ishte një ushtar xhenjer me origjinë nga Dukagjini, që sa herë ishte i lirë, ulej gjithmonë mbi një gur të madh në anën jugore të hyrjes së tunelit dhe këndonte këngë nga vëndi i tij…
Gjëndja morale e nënujsave të asaj periudhe ishte tejet e rënë. Gjithmonë shokët e mij të nënujit, pa mëdyshje heronj të pashoq të fatit të tyre, më ishin dukur si ata qëngjat e ndarë nga tufa për tu therur për sebepin e parë. Duke i njohur unë e dija që ata, siç edhe unë, nuk ju besonin eprorëve politikë dhe se në shumicën e tyre nuk mund të frymëzoheshin e të shtyheshin të vdisnin për motive ideologjike apo nga pasojat e injorancës servile e eprorëve të sistemit.
Ka pasur një fakt për të cilin është folur çuditërisht pak por që në gjykimin tim pati një impakt të pamatshëm në botët shpirtërore të oficerave të FLD-së së asaj kohe. Të gjithë oficerët e marinës për arsye të programeve shkollore, ndryshe nga gjithë shtresat e tjera të popullatës, kishin shkelur qoftë edhe për pak kohë në brigjet e huaja, kishin parë ndryshimin, dhe kjo ishte njëlloj sikur të kishje bërë vaksinën anti – propagandë.
Ne ishim një popull i tërë i dënuar me punë të detyruar. Frika nga mulliri i luftës së klasave që bluante kocka fisesh e krushqish na shtynte të bënim atë që na urdhëronin dhe jo atë që donim. Por që të vdisje për kauza të paqëna e idiote ishte më e dhimbëshme dhe më e rëndë se çdo vuajtje tjetër.
Transferimin e Brigatës së Nëndetëseve nga Pasha Limani për në Palermo, besoj se të gjithë nënujsit e pritën keq. E pritën keq sepse teknikisht dhe ushtarakisht, ishte i gabuar. Nënujsit për vetë mënyrën e jetës së tyre ishin njerëz të zgjuar e të lexuar dhe e dinin më mirë se sa “të mëdhejtë” e Tiranës se çfarë ishte më mirë për nëndetëset. Përveç kësaj ne ishim mësuar me Pasha Limanin i cili na ishte bërë gati si shtëpia jonë dhe ndjeheshim keq që do ta linim. Gjiu i Vlorës kishte qenë një laborator shumë i mirë stërvitjeje për nënujsat, dhe popullsia për rreth kishte qenë jashtëzakonisht e dashur me ne. Uzina e Riparimit të Anijeve ishte afër për çdo problem teknik apo nevojë riparimi. Dhe tani me urdhër nga lart duhej të iknim për fare! Ti linim të gjitha! Të linim më të mirat për të pasur më të këqiat. Baza e Palermos nuk kishte qenë kurrë e nuk do bëhej asnjëherë e përshtatëshme për Nëndetëset ndërsa ne po na çonin atje për të mos e lënë bosh atë shpellë ku kishim harxhuar aq shumë.
Të gjithë ishin të prekur e të pakënaqur nga ajo ikje. Trishtimi i ndarjes kish ditë që kish pllakosur në Pasha Liman. ..Shikonim Zylon e klubit që mezi i mbante lotët, kamarieret tona po ashtu, mbaj mënd Kananin, shoferin legjendar të autobuzit të nënujsave, njeriu i fortë që i shkulte dhëmballët e veta me darët e punës, e që i pirë si gjithmonë, qëndronte këmbëhapur në sheshin para Komandës dhe zihej me vehten. Po ashtu punonjësit e KRAF që nuk e fshihnin fare dëshpërimin e ndarjes. Besoja thellësisht që kjo ishte vërtet një ndarje e keqe dhe dukej si goditja e fundit dhe e parikuperueshme kundër armës së nëndetëseve nga administrata e pa aftë e militante e strukturave të shtetit të asaj kohe.
..Kanë kaluar shumë vite por edhe sot mua më bëhet sikur e shoh bankinën e nëndetëseve në Pasha Liman, në ditën e fundit si e tillë. Mbaj mënd që krahas njerëzish të tjerë atë ditë kish ardhur e po qëndronte atje i përlotur dhe shoku jonë B.Sh. i cili kish kontribuar aq shumë në historinë e teknikës së nëndetëseve dhe së fundi ishte transferuar diku në një detyrë tjetër. Ne e linim Pasha Limanin ndërsa sirenat e trishtuara të përcjelljes së Brigatës së Nëndetëseve, gjëmonin gati deri në Vlorë, në atë mëngjez të trishtuar për historinë e asaj Baze…
Ikëm duke mbyllur kështu realisht e përfundimisht historinë e vërtetë te nëndetëseve në Pasha Liman. Pak para ikjes tonë, shoku im, ish oficeri Shefik Sh. të cilit i takon fragmenti i ditarit në krye të këtyre shënimeve, ishte dënuar me 8 vjet burg për ulje të vigjilencës ushtarake. Po ato ditë kur ne këmbëzvarrë po përpiqeshim të instaloheshim në Palermo, roja i portës së jugut të tunelit, efektiv i Brigadës së Nëndetëseve zbrazi mbi xhenjerin dukagjinas që këndonte tek porta e tunelit një breshëri të tërë plumbash. Akoma dhe sot e kësaj dite, si një dëshmi e absurdit që nuk riparohet dot kurrë, mbi betonin e Portës së Jugut janë gjurmët e atyre plumbave që i morën jetën atij djali të gëzuar…
…………………………………………………….
… U desh shumë kohë që ne të gjenim njëfarë normaliteti në bazën e Palermos, por kurrë atë që duhej.. Ngadalë e ngadalë filluam të ingranohemi në jetën e njerëzve të zgjuar e të kulturuar të Bregut të Detit dhe të paktën unë një ditë e ndjeva vehten një nga ata. Por siç e kam thënë, unë ëndërroja një botë tjetër, ëndërroja lirinë që se kishim dhe kështu që sa vinte e mbyllesha në dëshpërimin tim.
…. Dhe erdhi një kohë që fillova ti shmangesha punës në nëndetëse. Dhe kjo ishte dhe koha kur eprorët – shokë të mij -nuk kishin më qejf të kërkonin llogari… Shteti ynë kishte ecur kundër ligjeve të natyrës e të jetësi dhe kështu që ishte vetëmundur e vetëshpartalluar në mënyrën më të keqe të mundëshme..
Ndërsa thënia e famëshme e Nikolay Khruschev për Bazën e Balaklavase vlente po njëlloj dhe për bazën e Palermos….!
…………………………………………………………….
…Unë dhe shokët e mij vajtëm djem të rinj e të bukur në Flotë dhe një dekadë e pak më vonë po iknim të maturuar e të trishtuar e me bindjen e thellë se ai shtet i shpartalluar nga të gjitha anët duhej bërë ndryshe. Unë ishja nga të parët që ika e të tjerët një nga një më prapa, por të gjithë të bindur se vëndi ynë kishte humbur shumë vite, energji, rini e shpresa në mënyrën më të keqe të mundëshme.. Iknim dhe linim pas historinë e dhimbëshme të rinisë tonë, një histori për fat të keq gjithmonë të përgojuar nga politika e mentaliteti, një histori që për çdo komb tjetër do ishte histori krenarie…..

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull