Shkruan: Enis SULSTAROVA, Shkup
Ne, shqiptarët, duhet të kujtojmë. Është detyrim kujtesa për dramat kolektive që na kanë ndodhur. Për pjesën më të madhe të historisë së kombit tonë varemi nga dokumentet që kanë prodhuar të tjerët për ne. Edhe në shek. XX, kur krijuam institucionet tona shkencore e kulturore, na mungonte liria e fjalës. Disa të vërteta, si p.sh. Masakrën e Tivarit, duhej t’i bisedonim me zë të ulët dhe me njerëz të besuar. Po kështu, indoktrinimi ideologjik shpeshherë e bënte të pamundur pranimin e së vërtetës dhe të fakteve. Tani jemi në kushte më të mira, sepse studiuesit që punojnë në disiplina të ndryshme kanë lirinë dhe mundësitë që t’i përdorin teoritë e metodologjitë bashkëkohore për t’iu qasur të kaluarës dhe për të dhënë ndihmesë në kultivimin e kujtesës kolektive.
Libri “Fjalimet që përgjakën Ballkanin”, i autorit Gëzim Mekuli, gazetar i mirënjohur dhe studiues i shkencave të komunikimit, na çon mbrapa disa dekada për të na kujtuar se luftërat në ish-Jugosllavi më së pari nisën me përndezjen e fjalëve. Sikurse shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore nuk mund të shihet i shkëputur prej fjalimeve të Hitlerit nëpër tavernat dhe sheshet e Gjermanisë, po ashtu edhe fillimi i shkatërrimit të Jugosllavisë mund të gjurmohet te fjalimet luftënxitëse të Sllobodan Millosheviqit. Fuqia mistike e fjalës, e cila mund të ngrejë në këmbë një popull të tërë, ka tërhequr interesimin e Mekulit për të studiuar, nga këndvështrimi i retorikës dhe i shkencave të komunikimit, disa fjalime që Millosheviqi ka mbajtur në fillim dhe në fund të karrierës së tij politike. Sigurisht që vetëm fjala në vetvete nuk mjafton, sepse, siç e vëren Mekuli, që fjala të prekë “telat” e shpirtit të një populli, ajo duhet të thuhet në çastin e duhur e në mënyrën e duhur dhe gjithashtu të përhapet sa më gjerë përmes mediave. Që fjala të bëjë ndryshimin, kërkohet publiku retorik dhe situata e duhur retorike (f. 29-30). Duke cituar nga studiues të ndryshëm, që kanë hulumtuar marrëdhënien e retorikës me kontekstin politik dhe shoqëror, autori ka ndërtuar një aparat konceptual me të cilin i analizon fjalimet e Millosheviqit. Në qendër të këtij aparati ndodhen togfjalëshat që përsëriten më shpesh dhe që në mendjet e dëgjuesve ndërtojnë një botë fantastike, ku përleshen forcat e së mirës (zotit) me forcat e së keqes (djallit). Nëse politikani ia del të ndërtojë një botë imagjinare, që i mbivendoset botës reale dhe që besohet nga pasuesit e tij, atëherë ai i zotëron shpirtrat e këtyre dhe mund t’i tërheqë pas projektit të vet politik. Sigurisht që përndezja emocionale nuk zgjat përgjithmonë, sepse vjen një çast dhe realiteti bëhet kaq i shpërputhshëm me imagjinatën, saqë pasuesit ose, së paku një pjesë e tyre, kthjellohen dhe “ftohen”. Kjo duhet qartë në dy prej fjalimeve që Millosheviqi i ka mbajtur gjatë viteve të fundit në pushtet dhe që Mekuli i ka veçuar për t’i analizuar.
Studimi i Mekulit përqendrohet në tri fjalime të Millosheviqit. I pari dhe më i rëndësishmi syresh është fjalimi në Gazimestan më 28 qershor 1989, i dyti është fjalimi në 10 qershor 1999, i mbajtur në Beograd pas përfundimit të luftës midis Jugosllavisë dhe NATO-s, dhe i treti është fjalimi në Beograd në vitin 2000, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Fjalimi në Gazimestan është cilësuar si programatik, sepse mbahej me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Fushë-Kosovës, ndoshta miti më i rëndësishëm i nacionalizmit serb, dhe paralajmëronte projektin e Millosheviqit për t’ia nënshtruar Jugosllavinë interesave serbe. Mbi një milionë serbë morën pjesë në tubimin e Gazimestanit, përfshirë klerikë dhe pelegrinë ortodoksë që nderonin reliktet e princit Llazar që u vra në Betejën e Fushë-Kosovës dhe që u shpall martir i Kishës Serbe. Tubimi u transmetua drejtpërdrejt nga RTV Beograd. Siç vëren Mekuli në analizën e retorikës së fjalimit të Millosheviqit, ky i fundit shfrytëzoi simbolikën diakronike për t’i thënë publikut serb se Kosova është zemra e Serbisë dhe se gjoja ishte e shkëputur nga trupi i Serbisë, prandaj ringritja e Serbisë po ndodhte pikërisht në atë çast në Fushë-Kosovë, ku ishte flijuar edhe princi Llazar. Nëse beteja para 600 vjetëve u humb për shkak se midis princave serbë mungonte uniteti, tani Serbia ishte unike dhe kërkonte të drejtat e saj “të mohuara” në Jugosllavinë socialiste. Serbët, jo vetëm në Kosovë, por kudo në Jugosllavi, do të kërkonin që “gjymtyrët” e ndara t’i bashkoheshin trupit të Serbisë. Me këtë fjalim, të ngopur me imazhe fetare, Millosheviqi i ftoi serbët që ta ndiqnin në një “luftë të shenjtë” dhe shumë prej tyre i shkuan pas atij, duke e kujtuar për mishërim të Car Llazarit (f. 74).
Pothuaj dhjetë vjet më pas, Millosheviqi mbajti një fjalim në Beograd, për të shënuar përfundimin e luftës së Jugosllavisë me NATO-n. Fjalimi i Millosheviqit nuk u ndoq nga më shumë se 50.000 pjesëmarrës në shesh, shumë më pak se turma e mbledhur në Gazimestan, por është domethënës fakti se ai nuk u botua në shumë prej gazetave të kohës dhe disa media televizive e transmetuan të përmbledhur. Për sa i përket situatës retorike, bashkimi i serbëve në një Serbi të Madhe nuk kishte ndodhur. Një pjesë e mirë e serbëve ishin përzënë nga Kroacia, Bosnjë-Hercegovina ishte shtet i pavarur dhe serbët atje kishin arritur të njiheshin si një njësi përbërëse e federatës. Në Mal të Zi ishte formuar një tendencë e qartë politike për daljen nga partneriteti me Serbinë dhe në Kosovë po hynin trupat e NATO-s. Epilogu i luftërave që serbët ndezën në Jugosllavi shënohej nga ndërtesat e shkatërruara në mes të Beogradit. Mekuli shkruan se “e gjithë bota e Millosheviqit, sistemi i ngritur prej tij, u shpërbë me lehtësi të pabesueshme, krejt ndryshe nga pretendimet e tij të dikurshme. Pra, situata retorike kishte një problem të ngutshëm dhe ky duhej të zgjidhej përmes gjuhës (komunikimit)” (f. 104). Dukej sikur Millosheviqin po e ndiqte pas fati i princit Llazar, që në Kosovë e humbi “mbretërinë tokësore”, prandaj në fjalimin e tij ai i mëshonte idesë se ia kishte dalë ta ruante sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Tema qendrore e fjalimit është se populli serb duhet ta ndjejë veten fitimtar, sepse tregoi se mund t’i qëndronte me vetëmohim “agresionit” të NATO-s. Në Gazimestan, Millosheviqi kishte thënë se serbët në Betejën e Fushë-Kosovës e kishin mbrojtur Perëndimin ndaj islamit, duke aluduar se këtë rol ata kryenin sërish. Dhjetë vjet më pas ai thotë se lufta e serbëve kundër NATO-s po jep ndihmesë në krijimin e një bote multipolare. Pra, Perëndimi tani nuk përfaqëson më vlerat për të cilat serbët janë flijuar. Nga aleat i serbëve kundër fundamentalizmit islamik, Perëndimi është shndërruar në vetë “djallin” (f. 124-125). Millosheviqi i paraqet serbët si viktimë dhe askund në fjalimin e tij nuk përmenden viktimat shqiptare të makinerinë ushtarake serbe, të udhëhequr prej tij. Përkundrazi, siç e vëren Mekuli, Millosheviqi përpiqet që imazhi i ushtrisë serbe të shkëlqejë (“Ushtria jonë është e pathyeshme dhe më e mira në botë”; “Populli ishte ushtri dhe ushtria ishte popull”).
Fjalimi i tretë që Mekuli merr në analizë u mbajt menjëherë pasi Millosheviqi kishte pësuar humbje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000. Ai nuk e pranoi rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve dhe u përpoq që të mbante pushtetin, por qeveria e tij u rrëzua disa ditë më pas, si rezultat i protestave popullore. Tema e fjalimit para një publiku prej jo më shumë se 30,000 vetave është se si Serbia po sulmohet nga Perëndimi dhe nga “tradhtarët” e opozitës. Millosheviqi i përshkruan shtetit dhe kombit serb një funksion “kundërimperialist” dhe paralajmëron se nëse serbët nuk rezistojnë, ekziston rreziku i pavarësimit të Kosovës dhe i largimit të Malit të Zi nga federata. Madje, edhe vetë Serbia mund të shpërbëhet me shkëputjen e Sanxhakut dhe të Vojvodinës: “Territori që do t’i lihej ta mbante emrin Serbi, do të pushtohej nga forcat ndërkombëtare, SHBA apo ndonjë shtet tjetër. Ata do ta trajtonin tokën tonë si terren të tyre të stërvitjeve ushtarake, si rezervat të tyre privat, për t’u kontrolluar në përputhje me interesat e fuqisë pushtuese” (f. 135). Me këtë retorikë të mbjelljes së frikës se identiteti i kombit serb do të shuhej si pasojë e kolonizimit të Serbisë, Millosheviqi përpiqet ta bindë publikun se ardhja në pushtet e opozitës serbe do të sjellë dhunë dhe luftë. Sërish serbët paraqiten si viktima të padrejtësive historike dhe se vetëm uniteti kombëtar mund t’i shpëtojë. Mekuli veçon faktin se Millosheviqi, në fjalimin e tij, përdor edhe kritikën ndaj kulturës konsumeriste perëndimore, të cilën ia shton edhe kritikës “kundërimperialiste” (f. 146). Të dyja kritikat gërshetohen në fjalim në mënyrë që Perëndimi së bashku me opozitën të portretizohen si “demonët” që duan të rrënojnë “popullin qiellor” serb. Mekuli vë në dukje se e fjalimi i tretë është më i gjatë se të parët, sepse Millosheviqit i duhet të përdorë më shumë retorikë në mënyrë që ta kthejë publikun, tashmë mosbesues, në anën e tij. Mirëpo, Millosheviqi nuk ishte më në gjendje ta kontrollonte shpërndarjen e mesazhit në publikun serb, për të cilin mediat më të besueshme ishin ato opozitare, të cilat po e nxisnin popullin për t’i dhënë fund sundimit të Millosheviqit. Ai perceptohej si një diktator, edhe pse një dekadë më parë shumica e serbëve e kishin brohoritur si shpëtimtarin e tyre.
Analiza e Mekulit është e pasur dhe e shkruar me një gjuhë të rrjedhshme. Referencat shkencore janë të përqendruara sidomos në dy kapitujt e parë, por kjo nuk do të thotë se leximi i tyre është i vështirë. Përkundrazi, përmendja e autorëve dhe e teorive të retorikës, që nga Aristoteli e deri në ditët tona, ndjek një linjë logjike dhe të qartë. Libri i Gëzim Mekulit “Fjalimet që përgjakën Ballkanin” është një lexim i nevojshëm për studentët dhe studiuesit e shkencave të komunikimit, të historisë dhe të një publiku të interesuar për marrëdhëniet midis retorikës, ideologjive dhe pushtetit në Ballkan.
Recension për librin “Fjalimet që përgjakën Ballkanin: Analizë retorike e fjalimeve të Millosheviqit”, të autorit Gëzim Mekuli (Prishtinë: Alphabet J&H, 2022).