Presidenti i Republikës, Bajram Begaj iu është drejtuar me një mesazh deputetëve të Kuvendit pak para seancës së parë të sesionit të ri parlamentar.
Kreu i shtetit thekson në mesazhin e tij se dialogu politik, gjithëpërfshirja dhe konsensusi duhet të jenë lajtmotivi i punës parlamentare.
Ai shton se parlamenti ka detyrim të mbështesë reformën në drejtësi pasi sipas tij korrupsioni frenon zhvillimin ekonomik të vendit dhe vret shpresën.
Mesazhi i plotë i presidentit:
Të nderuar Zonja dhe zotërinj deputetë!
Nisja e sesionit të ri të punimeve të Kuvendit, më krijon mundësinë, t’ju drejtohem të gjithë ju deputetëve, për t’ju uruar punë të mbarë, angazhim të frytshëm dhe maksimal në përmbushje të të gjitha detyrave dhe përgjegjësive tuaja të larta, si përfaqësues të vullnetit politik të popullit shqiptar.
Për mua si President i Republikës, bashkëpunimi me Kuvendin është jo vetëm përgjegjësi e përmbushjes së detyrës kushtetuese, por më shumë se kaq është shprehje e bindjes dhe e besimit se bashkërisht mund të shpalosim një dimension tjetër qasjeje dhe sjelljeje politike, në përputhje me atë që pret shoqëria shqiptare nga klasa politike dhe nga përfaqësuesit e zgjedhur prej saj.
Marrja e vendimit të çeljes së negociatava me Bashkimin Europian, domosdoshmërisht imponon për të gjithë ne, reflektim dhe më shumë përgjegjshmëri, seriozitet dhe më shumë përkushtim. Na duhet të jemi po aq europianë për nga vizioni dhe standardet e sjelljes politike, e cila të reflektojë pikërisht këtë realitet të ri të marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Dialogu politik, gjithëpërfshirja dhe konsensusi duhet të jenë lajtmotivi i punës parlamentare, sepse vendi nuk mund të paguajë koston e mungesës së tyre. Të gjithë ne kemi detyrimin dhe përgjegjësinë të ofrojmë bashkëpunim konstruktiv dhe dialog të qëndrueshëm. Historia na ka treguar se kur reformat janë konsensuale, ndikimi pozitiv është i drejtpërdrejtë në integrimin e vendit, në ekonomi, në demokratizimin e institucioneve dhe në përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të jetesës së qytetarëve. Fryma e bashkëpunimit, vendosmëria dhe kohezioni, janë thelbësore për të qenë gjithmonë prezent në punën tonë, si mbrojtës të interesave të vendit dhe të qytetarëve.
Reformat e mëdha dhe jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë, të inicuara me vullnetin e të gjitha forcave politike të përfaqësuara në Kuvend, kanë nevojë që të mbështeten edhe më shumë nga të gjithë ne, ndaj sfida e rradhës do të jetë përafrimi i legjislacionit tonë sipas standardeve europiane, që të mund të jemi pararendës të përmbushjes së aspiratës kombëtare për Shqipërinë Europiane.
Të nderuar deputetë!
Korrupsioni frenon zhvillimin ekonomik dhe vret shpresën për një të ardhme më të mirë. Modeli i zyrtarit duhet të jetë ai i llogaridhënies, i respektimit të ndarjes së pushteteve, i respektimit të ligjit dhe përmbushjes së përgjegjësisë publike. Ne kemi detyrimin të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi, punën dhe rolin e çdo aktori institucional në ushtrimin e detyrave të tyre në luftën kundër korrupsionit për forcimin e besimit qytetar tek institucionet e drejtësisë.
Sesioni i ri i Kuvendit, që ju të nderuar deputetë nisni sot, i paraprin periudhës kur do të mbahen edhe zgjedhjet e rradhës për organet e qeverisjes vendore, të cilat janë kësisoj edhe një mundësi e mirë për të dëshmuar pjekurinë dhe përgjegjshmërinë politike, seriozitetin dhe përkushtimin e të gjithë aktorëve politikë për të realizuar zgjedhje sipas standarteve europiane edhe në Shqipëri.
Reforma zgjedhore kërkon bashkëpunim, transparencë, gjithëpërfshirje, seriozitet dhe përputhshmëri të plotë me parimet e sugjeruara nga Komisioni i Venecias si dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Qeverisja ka nevojë për këndvështrim kritik dhe oponencë, sepse mendimi kritik sjell debat konstruktiv dhe debati konstruktiv sjell përmirësim. Në këtë frymë, është e rëndësishme gjithëpërfshirja në ligjbërje sidomos për çështjet e mëdha si mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore te njeriut, çështjet e sigurisë kombëtare e të integrimit europian, si edhe për çështje të luftës kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar etj.
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë!
Situatat globale, koniunkturat politike dhe kërcënimet gjithnjë në rritje, siç u dëshmuan edhe nga agresioni rus në Ukrainë, e kanë vënë botën përballë sfidave shumë delikate.
Vendi dhe rajoni ynë vazhdojnë të jenë nën kërcënimin e vazhdueshëm të faktorëve të ndryshëm të riskut, ndikimeve të reja e të vjetra, që përkeqësohen edhe më tej nga kriza ekonomike, rritja e çmimeve, pasiguria ushqimore dhe energjetike, kërcënimet kibernetike, pandemitë dhe epidemitë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ndjekim me vëmendje zhvillimet në të gjitha vendet e rajonit e sidomos në Kosovë. T’iu ofrojmë institucioneve të Kosovës mbështetje në të gjitha nivelet, dhe veçanërisht për rritjen e numrit të njohjeve, për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në organizmat ndërkombëtarë.
Në këto kushte, ju takon juve të nderuar deputetë, i takon Kuvendit të Shqipërisë të jetë modeli i sjelljes dhe veprimit si patriotë, ku interesat e grupit apo të partisë, nuk mund të qëndrojnë më lart se interesat e popullit dhe ato kombëtare.
Në prag të festimeve të 110 vjetorit të themelimit të Shtetit Shqiptar ju uroj punë të mbarë në të mirë të qytetarëve dhe të Shqipërisë sonë të dashur!
Faleminderit!
Presidenti i Republikës së Shqipërisë
Bajram Begaj