Sulmi kibernetike, Rama: Stafi i ambasadës së Iranit ka 24 orë kohë për t’u larguar nga Shqipëria

4 Minuta Lexim

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se sulmi kibernetik ndaj faqeve qeveritare në vendin tonë është sponsorizuar nga republika e Iranit.

Rama tha se ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe atë të sigurisë.

“Në 15 korrikun e shkuar vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.

Sulmi nuk ia arriti qëllimit. Krahasimisht me objektivat e agresorëve, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim.

Për javë të tëra u punua paralelisht, ditë-natë, qoftë per rivënien e të gjitha sistemeve në punë, qoftë për hetimin për gjetjen e agresorëve. Në bashkëpunim me agjensi të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnje hije dyshimi, se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, po një agresion shtetëror.

Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron.

Ne kemi informuar aleatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj vendit tonë.

Nisur nga sa më lart Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt të menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe atë të sigurisë.

Kjo masë ekstreme, aspak e deshiruar po krejtësisht e detyruar, është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmerine e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend.

Dështimi i këtij sulmi masiv mbi vendin tonë, falë rezistencës së sistemeve që kemi ngritur dhe ndihmës së grupeve speciale që na u bashkuan në këtë luftë, nuk është fundi i kërcënimit kibernetik, po thjesht prova se tanimë edhe Shqipëria ka hyrë falë zhvillimit digjital në hartën e gjerë të luftës për sigurinë kibernetike.

Por lajmi i mirë është se ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë e si duhet ta bëjmë për të mos na prekur dot askush, ashtu siç dimë edhe se do t’i bëjmë siç duhet gjërat e duhura, sepse kemi partnerët e duhur”, deklaroi Rama.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull